Artan Hoxha pati deklaruar muaj më parë, më datë 1 Dhjetor 2017, se paratë e lobimit të Partisë Demokratike vijnë nga kompanitë e basteve dhe lojërave të fatit në Shqipëri.
Vangjeli thotë se nëse provohet kjo, do të thotë se PD ka shitur influencën politike tek kompanitë e basteve dhe me paratë e marra ka kërkuar të blejë influencë në Uashington.
Zogaj tha se ishte kundër idesë së lobimit për interesa partiake dhe nëse duhej lobuar, duhej bërë për interesa madhore kombëtare.
“Dollarë në këmbim të influencës”. Kjo ka qenë pjesë e tretë e emisionit “JAVA” në RTSH teksa është komentuar lajmi për pagesën 1 milionë dollarëshe të PD-së për lobim në SHBA.
Publicisti Preç Zogaj tha se vendi u përmbyt me skandale drogë këto ditë dhe lajmi i Partisë Demokratike ka dalë për të krijuar një barazi.
“Unë nuk besoj se skandalet janë të njëjta. Por unë them që PD duhet të mbajë përgjegjësi qoftë edhe ligjore dhe të bëjë transparencë” – tha Zogaj.
Ai u shpreh se personalisht është kundër këtyre lobingjeve. “Nuk ka arsye pse partitë në Shqipëri të paguajnë para për këto gjëra” – u shpreh Zogaj në “JAVA” teksa tha se kjo është një qasje e gabuar.
Nga ana tjetër, analisti Lorenc Vangjeli tha se 1 milionë dollarë janë shumë për një parti që mbahet nga pagesat e anëtarësisë dhe fondi që i jep shtetit. Në ekonominë informale, tha Vangjeli, këto para janë të lehta për t’u gjetur.
“Nëse këto para do të ishin në xhepin e një skafisti është tjetër gjë. Por nëse këto para gjenden në xhepin e një partie, atëherë kemi të bëjmë me një skandal” – tha Vangjeli në “JAVA”.
Për gazetarin Artan Hoxha pritet një “dimër i nxehtë”.
“Për mendimin tim është një skandal që është publikuar nga një media, që mbështetet nga partnerët tanë strategjikë. Siç është BIRN. Unë nuk dyshoj se BIRN është bërë pjesë e një loje politike. I njëjti gazetar ka shkruar edhe për fondet e lobingut të LSI, sikurse edhe për fotografinë e Ramës me Obamën” – tha Aran Hoxha.
Në “JAVA”, gazetari investigativ u shpreh se ka gjurmë nga janë nisur paratë dhe ku kanë shkuar.
“Që të shkosh të paguash këto shuma të mëdha, siç janë 825 mijë dollarë, atëherë ky është objektivi i një hetimi konkret.
Hoxha tha se bëhet fjalë për një shtetas turk që ka qenë shok klase me Bashën. Sipas tij, Kamil Ekim Alptekin quhet shtetasi që ka financuar lobingun e Bashës.
Në “JAVA”, Artan Hoxha tha se këto para kanë dalë nga biznesi i lojërave të fatit, të cilat kanë lobuar në të dy krahët e politikës./Ekskluzive.al