Qeveria zgjodhi dje bazën ajrore të Kuçovës për të prezantuar buxhetin e mbrojtjes për vitin 2019. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryeministri Edi Rama, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe shumë personalitetet të tjera.
Gjatë fjalës së tij, shefi i Shtabit të FA zbuloi detaje nga ky investim që NATO do të bëjë në bazën e Kuçovës, teksa deklaroi do të realizohen një sërë projektesh me vlerë fillestare 50 milionë dollarë. Por gjeneral Kollçaku bëri me dije se NATO ka përzgjedhur Bazën Ajrore të Kuçovës, si një nga bazat e saj, për të përballuar një sulm të mundshëm që mund t’i vijë Aleancës nga kufijtë jugorë të saj.
“Në këtë bazë do të realizohen një sërë projektesh infrastrukturore me vlerë fillestare investimi 50 milionë euro, çfarë do të thotë kthimin në operacionalitet të plotë të saj. Ky investim do të bëjë të mundur dislokimin e një numri të madh avionësh luftarak transporti të kategorive të ndryshme të aleancës.
NATO ka përzgjedhur Bazën Ajrore të Kuçovës, si një nga bazat ajrore taktike të saj për të përballuar një sulm të mundshëm që mund t’i vijë Aleancës nga kufijtë jugorë të saj. Për implementimin e këtij projekti, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në konsultim të plotë me strukturat përgjegjëse të NATO-s kanë marrë të gjitha masat për përgatitjen e masterplanit dhe projektet teknike dhe inxhinierike, me qëllim që t’i hapin sa më parë rrugën punimeve të të gjithë zërave të parashikuar. Përfitimi kryesor për Forcat e Armatosura do të jetë jo vetëm përmirësimi i kapaciteteve ekzistuese, sipas standardeve të NATO-s, por dhe të kapaciteteve të tjera të domosdoshme për vendin tonë”, deklaroi ai.
Më tej, gjeneral Kollçaku theksoi se kjo bazë do të shërbejë për rritjen e eksperiencës së personelit për planëzimin, drejtimin dhe kontrollin në operacion ajror dhe padyshim rritjes së ndërveprueshmërisë të personelit tonë të FA me ato të Aleancës.
“Në cilësinë e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura ju siguroj zoti Kryeministër se vëmendja e qeverisë për FA do të përkthehet në kapacitete operacionale më të mira, më shumë përkushtim për vendin dhe Aleancën, në shërbim të paqes dhe sigurisë. Kthimi i kësaj bazë në operacionalitet të plotë, sipas standardeve të NATO-s, na bënë të ndihemi krenarë”, nënvizoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku./Sot