Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë publike tabelën zyrtare me të gjithë zërat e kostos së projektit “Mbikalimi Shqiponja-Pallati me Shigjeta” në kuadër të Unazës së Madhe të Tiranës.
Lulzim Basha, Petrit Vasili, Monika Kryemadhi apo të tjerë funksionarë të opozitës deklaronin se 40 milion euro të kostos së unazës pjestoheshin për 2.3 kilometra dhe dilte kosto e frikshme prej 18-20 milion euro për një kilometër, shifer që sipas ARSH është spekulative
Pretendimi se vepra ka vetëm 2.3 kilometra rrugë është e pavërtetë pasi projekti përfshin: 2.3 kilometra rrugë kategoria A Urbane; 4.68 kilometra rrugët e shërbimit “Kategoria F”; 5 km trotuare; 5 km korsi biçikletash; nënkalime këmbësorësh; ndriçim rrugëve kategoria Urbane A; ndriçim i rrugëve kategoria F; punimet e drenazhit dhe kullimit.
Përveç kësaj, investimi përfshin mbikalim dhe nënkalim tek Sheshi Shqiponja; dy mbikalime të tjera dhe dy nënkalime përkatësisht tek Lana dhe Astiri.
Siç mund ta shikoni në tabelë, kostot zë për zë të këtij investimi e qartësojnë se vetëm veprat e artit infrastrukturore mbikalime/nënkalime në rrugët e Kategorisë A dhe ato të kategorisë F në këtë projekt kanë 75% të totalit të kostos.
Sipas po kësaj tabele rezulton se 2.34 kilometra rrugë kategoria A Urbane që është me standardet e një autostradë urbane, e para në Shqipëri, kanë si kosto në total 5.3 milion euro.
Thënë ndryshe, kosto për kilometër e kësaj lloj rruge është 2.2 milion euro.