Blerja e votave në Greqi në zgjedhjet e vendore të së dielës nuk ka qenë një fenomen i izoluar. Pas arrestimeve të ndodhura në Kardhicë, policia greke ka vënë në pranga edhe 3 persona të tjerë në Mesologji.
Bëhet fjalë për tre kandidatë, një grua dhe dy burra të cilët ofronin para këmbim të votës. Të tre akuzohen për veprën penale të dhënies së ryshfeteve ndaj një votuesi dhe do të dërgohen në Prokurorinë Themelore të Mesolongjisë.
Operacioni policor u organizua pas denoncimit të qytetarëve, të cilët raportuan se të tre të pandehurit u jepnin ryshfet votuesve teksa mbërrinin në qendrat e votimit. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe gjeti tre të pandehurit në dy makina që ndodheshin në oborrin e një shkolle-qendre votimi dhe jashtë saj.
Pas kontrollit efektivët e policisë gjetën brenda automjeteve dhe konfiskuan fletëvotimet e plotësuara për zgjedhjet rajonale dhe komunale dhe një fletore me shënime të shkruara me dorë.
Në të njëjtën kohë, në një prej automjeteve janë gjetur 13.500 euro dhe fletë votimi të kryqëzuara në një qese, të cilat sipas policisë kanë qenë të destinuara për financimin e votuesve.
Të dielën autoritetet njoftuan arrestimin e 3 personave të tjerë në zonën e Kardhicës të akuzuar për blerjen e 500 kartave të identitetit me nga 50 euro.
Ndërsa 3 ditë para zgjedhjeve u arrestua edhe kandidati për kryetar bashkie i Mesolongjisë, Panajotis Kaculis pasi nuk respektoi lejen e dhënë për mbajtjen e një mitingu.