Pas arrestimit të zyrtarëve, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka sqaruar se ka vënë në dispozicion të SPAK materialet e kërkuara dhe se po bashkëpunojnë maksimalisht për të zbardhur hetimet.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mbështet organet ligjzbatuese në kryerjen e detyrës së tyre për verifikimin e çdo dyshimi e pretendimi për abuzim apo shkelje ligjore nga çdo punonjës apo ish-punonjës i kompanisë.
Referuar rastit të publikuar ditën e sotme në media, OSHEE sqaron se ka vënë në dispozicion të plotë të SPAK të gjitha materialet e kërkuara dhe ka ofruar bashkëpunim maksimal për të zbardhur plotësisht këtë rast hetimi”, shkruan OSHEE.
SPAK ka nxjerrë 4 urdhër-arreste për 4 zyrtarë të OSHE-së, pasi akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzim me barazinë në tendera duke favorizuar një kompani italiane duke përfituar ryshfet 132 mijë euro. 4 zyrtarët favorizuan kompaninë italiane “Com Metodi” s.p.a me seli në Milano në Itali, dhe përfituan një ryshfet që shkon deri në 132 mijë euro.