Detaje të reja janë publikuar pas arrestimit të ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Mësohet se policia dhe agjentët e BKH po kryejnë kontrolle në Shijak.
Gjithashtu bëhet me dije se janë ushtruar kontrolle edhe në banesën e ish-ligjvënësit. Nuk ka detaje se çfarë është gjetur deri tani si provë fizike, teksa sipas procedurës është sekuestruar makina dhe mes sendeve të bllokuara është i përfshirë edhe telefoni i tij.
Çyrbja u arrestua pasditen e sotme pasi ai dyshohet se ish-deputeti ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës. Bashkë me të është arrestuar edhe një bashkëpunëtor i identifikuar si Ahmet Masha. Masha është personi i dytë që ra në pranga me urdhër të SPAK. Ai është një emër i njohur për drejtësinë dhe Policinë, për disa vepra penale të mëparshme dhe i hetuar.
Përveç arrestimit të Çyrbjes dhe Mashës, në kërkim është shpallur edhe një tjetër shtetas. Sipas njoftimit të SPAK ish-deputeti akuzohet për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. SPAK nuk ka dhënë detaje më shumë në lidhje me arrestimin por ka njoftuar se nesër do të mbajnë një njoftim për shtyp.