Pak minuta më parë, Policia e shtetit ka njoftuar se ka kryer arrestimin e ish Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve Arben Çuko.
Sakaq ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila shprehet se i më 3.09.2018 i ka propozuar Kryeministrit shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Çuko.
“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, në datën 3.09.2018 i kam propozuar Kryeministrit shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Çuko. Shkarkimi i tij imediat për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion, ka çuar në një hetim të thelluar administrativ.
Në cilësinë gjithashtu edhe të Koordinatores Kombëtare të Task-Forcës Antikorrupsion i kam dërguar prokurorisë të gjitha materialet e konstatuara nga auditimi i brendshëm si shkelje të kryera në Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve.
E përshëndes dhe e mbështes prokurorinë në zbardhjen deri në fund të veprimeve të ish-drejtorit dhe shpreh edhe njëherë vullnetin e hekurt të qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin pa bërë dallime të asnjë natyre.
Vija e sjelljes së kësaj qeverie ndaj korrupsionit është e qartë: Çdokush që shkel ligjin ka punë me drejtësinë. Pa dallim ngjyre, përkatësie politike apo ideje të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe do të përgjigjen po njësoj përpara tij”, thotë Gjonaj.