Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me arrestimin e Gëzim Çelës teksa ka përgëzuar Policinë e Shtetit, një agjenci të rëndësishme partnere dhe strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës për operacionin policor.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Balla shkruan se forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë.
“Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë.
Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri”, shkruan ministri Balla.
I konsideruar si “baron i drogës” në Fushë Kuqe, Gëzim Çela ishte shpallur në kërkim nga policia në kuadër të operacionit “Flakë në det”, për rastin e trafikut dhe shkëmbimit të hashashit me kokainë në mes të detit.
Çela ishte në arrati që prej vitit 2014 kur u zbulua laboratori i heroinës në Fushë Kuqe, por vijonte aktivitetin e drogës edhe gjatë këtyre viteve.