Prokuroria e Posaçme po heton edhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në skandalin e abuzimit me tenderin e uniformave të policisë.
Ditën e shtunë, SPAK arrestoi 9 zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme lidhur me abuzimin që ata kanë bërë për tenderin e uniformave të policisë për vitin 2020.
Arrest me burg u vendos për Flutura Çekrezin, Ani Omurin, Kleivis Hasanin, të cilët janë anëtarët e njësisë së prokurimit. Po ashtu u arrestuan edhe Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj, të cilët janë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Ndërsa Anisa Bogdani, po ashtu anëtare e Njësisë së Prokurimit, është lënë në arrest shtëpie. Gjithashtu është arrestuar edhe ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila u shkarkua nga detyra vetëm një javë para se të zbulohej afera korruptive. Këto arrestime janë bërë lidhur me tenderin abuziv të datës 11 maj 2020 sa u përket uniformave të policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë. Të arrestuarit janë të akuzuar për shkelje të barazisë në tender.
Sipas hetimeve rezultoi se ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit dhe ka favorizuar fituesin. Në garë ishin 2 kompani, një kroate dhe një turke, të cilat janë skualifikuar menjëherë. Hetimet bëjnë me dije se ish-drejtoresha e prokurimeve ka ushtruar presion ndaj pjesëtarëve të komisionit që të skualifikohej kompania kroate dhe turke në mënyrë që të zgjidhej fitues propozimi i bashkimit të 4 operatorëve ekonomikës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues. Bashkimi i 4 operatorëve ekonomikë përbëhej nga një kompani shqiptare dhe 3 kompani të huaja, të cilat u shpallën fituese të tenderit. Sipas burimeve lidhur me këtë çështje, SPAK është duke hetuar edhe zyrtarë të tjerë.
Dëshmia e kreut të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
Nga ana tjetër kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave ka dëshmuar se procedurat për tenderin me vlerë afro 28 milionë dollarë kanë nisur që në vitin 2019. Ai ka deklaruar se ka qenë kundër këtij tenderi për uniformat dhe madje as nuk ka pranuar ta firmosë atë. Sipas tij i gjithë procesi ka qenë i paqartë sepse një herë është anuluar pastaj është rihapur përsëri derisa është përmbyllur me shpalljen fituese të 4 operatorëve ekonomikë.
Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave deklaroi se shkelja e parë e kryer nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme është procedura e tenderit. Së dyti ata kanë bashkuar tre objekte në një, çka do të thotë se një kompani mund të kualifikohej nëse kryente shërbime për të paktën 3 zëra. Së treti, zyrtarët e ministrisë kanë ndërhyrë në zërat e tenderit në mënyrë që të përshtateshin me ofertën e kompanisë që e ka fituar tenderin.