Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, sot në konferencë për shtyp kërkoi dorëheqjen e Qeverisë së Zaevit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sela tha se me ngjarjet e fundit, duke e përmendur edhe arratisjen e Gruevskit, qeveria e ka humbur moralin dhe nuk ka besim për të udhëhequr me shtetin
“Vazhdon teatri që u servir në opinion javën e kaluar, ndërsa tani vazhdon akti i dytë. Po ndodh ajo që ne e kemi paralajmëruar disa herë si parti, kapja e gjyqësorit nga LSDM sikur e bëri OBRM-PDUKM-ja, për këtë arsye kërkojmë dorëheqjen e qeverisë dhe formim të qeverisë ekspres, e cila do të mundësojë reforma në gjyqësi dhe zbardhje të këtyre skandaleve”.
“Ikja e Gruevskit nuk është e para, por gjithë ata që duhej të përgjigjeshin për vepra kriminale janë në arrati si rasti i Gruevskit dhe i Koçanit.
Këto raste ngjasojnë me rastin e 27 prillit, ku gjithashtu me mosveprim u lejua të ndodh ajo që ndodhi këtu në Kuvend.
Kërkojmë nga Prokuroria që të hetojë ikjen e Gruevskit, ku dyshojmë se ka edhe aktorë politik. Qeveria e ka humbur moralin për të qeverisur me këtë shtet”, tha mes tjerash Sela.
Ndërsa sa i përket propozimit të Entit për Statistika që regjistrimi i popullsisë të bëhet pa pyetje për përkatësinë etnike dhe fetare, Sela tha se Aleanca për Shqiptarët është kundër këtij propozimi.