Ilir Metën nuk e presin ditë të mira. Gjatë sesionit të ri parlamentar pritet që ai të shkarkohet nga Parlamenti. Por kjo duket se nuk do të jetë goditja e vetme për kreun e shtetit. Sipas avokatit Spartak Ngjela, Meta rrezikon edhe hetimin penal nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, Ngjela u shpreh se me shkarkimin dhe hetimin e Metës, Shqipëria do të mund të sigurojë hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian sepse në këtë mënyrë plotëson kushtin themeltar të ndërkombëtarëve: goditjen e korrupsionit në nivel të lartë.
“Kjo reformë ka tani afër dy hapa fillestare për të ndërmarrë: Procesin penal për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Strukturimin juridik të SPAK-ut. Që tani konstatohet frikë nga të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë. Këta po flasin jashtë sistemit logjik dhe nuk dinë si të mbrohen. Më tipiku është Ilir Meta. Ky, pasi foli nonsense dhe gjithë frikë, pasi kërkoi ndihmë kudo, tani duket se po pret fatin e tij: një president i shkarkuar. Në fakt historia politike e Shqipërisë, me goditjen penale të Ilir Metës, fiton, sepse Shqipëria garanton hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në fund të tetorit 2019. Penalizimi i Ilir Metës është shenja e parë dhe e mjaftueshme për kushtin që ka vënë Bashkimi Evropian në hapjen e negociatave për anëtarësimin në të: goditjen penale të të korruptuarve të pushtetshëm”, tha Spartak Ngjela. Duke përmendur edhe rastin e Kroacisë, avokati theksoi se e njëjta valë arrestimesh, me në krye Ilir Metën, do të vijë edhe këtu. Sipas tij, në këtë mënyrë Shqipëria nis të çlirohet nga të korruptuarit. “Kështu ndodhi edhe më Kroacinë, menjëherë pas arrestimit të kryeministrit të saj, iu hapën negociatat. Në fakt kjo do të ndodhë, sepse politika evropiane e Shqipërisë ka ngrirë, deri sa të fillojë goditja penale e të korruptuarve të mëdhenj. Kurse Ilir Meta është më tipiku i korrupsionit të lartë shtetëror dhe është President i Republikës. Shkarkimi i tij në akuzë penale, krijon hapin e parë drejt çlirimit të Shqipërisë. Kjo në fakt i jep shoqërisë shqiptare forcë në besimin se ajo do të shpëtojë më në fund nga një uzurpim tridhjetëvjeçar. Menjëherë pas shkarkimit të Metës dhe pas ngritjes së SPAK-ut, nis procesi penal kundrejt të gjithë të korruptuarve të mëdhenj të shtetit shqiptar”, deklaroi Spartak Ngjela.
Reagimi i Petro Koçit
Por teksa avokati Spartak Ngjela është i bindur se Ilir Meta do të përballet me drejtësinë e re shumë shpejt, zëvendës/ministri i Brendshëm, Petro Koçi garantoi se shkarkimi i tij nga detyra dhe çlirimi nga imuniteti do të ndodhin. Në një reagim të dhënë për gazetën “SOT”, Koçi e akuzoi Metën se po sillet si një kryetar i denjë i opozitës që po tenton të rrëzojë reformën në drejtësi. Për këtë arsye, ai theksoi se shkarkimi i presidentit nuk duhet të vonojë. “Meta po sillet si kryetar opozite dhe jo si President i Republikës. Mbi të gjitha ai në çdo veprim e qëndrim përfaqëson interesat e drejtpërdrejta të LSI. Metaforikisht mund të themi se LSI është bashkëshortja numër 1 e Ilir Metës. Pastaj vjen Monika. Ndërkohë duket qartazi se armiku i tij numër 1 nuk është Rama, por reforma në drejtësi. Ramën dhe imperializmin euroamerikan presidenti i sulmon veç për hir të reformimit të sistemit të drejtësisë, reformim që do shkëpusë drejtësinë nga kthetrat e politikanëve. Gjithë aktet antikushtetuese të presidentit shpjegohen jo me hallin se kush drejton pushtetin vendor. Qëllimi është krijimi i një kaosi politik, dalja nga i cili të mund të shoqërohet me rrëzimin e reformës në drejtësi. Parlamenti nuk duhet të lejojë shkelje të mëtejshme të Kushtetutës, duke ndëshkuar së pari shkeljet e deritanishme”, tha Petro Koçi. /Mimoza Ibra