Ardian Dvorani ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Kohët e fundit në korridorët e drejtësisë dhe politikës është përfolur se ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të bëhet pjese ë garës për anëtar të Kushtetueses, ndërkohë që një fakt i tillë është zyrtarizuar.
Ditën e djeshme Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar listën e kandidatëve për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese që është krijuar pas mbarimit të mandatit të gjyqtarit Altin Binaj, ndërsa interes për këtë vend vakant kanë shprehur 9 magjistratë, nga të cilët njëri do të zgjidhet për një mandat të plotë 9 vjeçar.
Njëri prej kandidatëve është zoti Dvorani, i cili pak kohë më parë u dekorua nga amerikanët si kampion i luftës kundër korrupsionit, teksa gjithashtu njihet edhe si një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit në çdo dalje publike e sulmon atë.
Pra nëse zoti Dvorani do të gëzojë mbështetje dhe do të zgjidhet anëtar i Kushtetueses për vakancën e Parlamentit, ai ka shumë mundësi të marrë edhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që presidenti Meta do të marrë një tjetër goditje të fortë nga Kuvendi, i cili në qershor të vitit që shkoi e shkarkoi atë nga detyra me plot 104 vota.
Zbardhen 9 emrat që kanë shfaqur interes
Po kush janë emrat e tjerë që së bashku me gjyqtarin Ardian Dvorani, i cili kandidon si pjesë e Gjykatës Administrative të Tiranës. Kështu mes emrave që kanë shfaqur interes për vakancën e Kuvendit të Shqipërisë është edhe kreu aktual i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe ish-anëtarja që shkaktoi debate me zgjedhjen e saj në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi.
Kjo listë është bërë publike dje në faqen zyrtare të Parlamentit. “Kuvendi i Shqipërisë, pasi u njoh me njoftimin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, për mbarimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, z. Altin Binaj, Shpalli më datën 16.01.2022, hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant (vakancë e plotë me mandat 9-vjeçar) për 1 (një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit të mandatit të anëtarit z. Altin Binaj, në datën 02.05.2022, shpallur me vendimin nr. 41, datë, 22.12.2021, të Gjykatës Kushtetuese.
Afati i aplikimit ishte deri në datën 14.02.2022. Në përfundim të këtij afati, lista e kandidatëve që kanë shprehur interes për të kandiduar, është si më poshtë: Ardita Buna( Alsula), Ardian Dvorani, Arta Vorpsi, Besnik Dervishi, Elca Miha, Gent Ibrahimi, Juliana Latifi, Mariana Semini( Tutulani), Maksim Qoku”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë më 8 shkurt të këtij muaji edhe Presidenca ka publikuar emrat e 10 aplikantëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në listë bie në sy emri i ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku apo dhe kreu i KLP, Gent Ibrahimi.
Një tjetër emër që kandidon për anëtar të Kushtetueses është edhe ish-deputeti i PS, aktualisht Komisioner i Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Besnik Dervishi. Kujtojmë që 10 aplikantët garojnë për një vend në Gjykatën Kushtetuese për të plotësuar vakancën e shkaktuar nga mbarimi i mandatit të gjyqtarit kushtetues Përparim Kalo. /Rigels Seliman