Nëse në vitin 1914 emigrimi evropian arriti piken më të lartë në historinë e Argjentinës, llogaritet se 1,760.000 persona kanë hyrë brenda kufijve të shtetit në periudhën 1091-1910 (Devoto, Fernando J, Historia de la inmigración en la Argentina, Bs. As, Sudamericana, 2003, f. 162), nuk duket e vështirë të pranojmë se shqiptarët pak kanë ndikuar në atë shifër, pasi ishin në numër më të vogël në mesin e “kombësive të tjera” sipas regjistrimit të tretë kombëtar të atij viti. Italianët, për ndryshim nga fqinjët e tyre më të afërt mesdhetar, vendoseshin në anë të kundërta, që me kalimin e kohës përbënin numrin më të madh të të arriturve në shtet. Që të kemi një ide më të qartë, llogaritet se 4,200.00 emigrantë evropianë kanë hyrë në Argjentinë në mes të viteve 1881 – 1914. Nga ta, rreth 2,000.000 ishin italianë, 1,400.000 spanjollë, 170,000 francezë dhe 160.00 rusë (Devoto, Fernando J, “La inmigración” en Nueva Historia de la Nación Argentina, Bs. As, Academia Nacional de la Historia-Ed. Planeta, 2000, T IV, p. 89.); dhe kjo natyrisht duke mos llogaritur një numër të madh prej tyre që u kthyen në vendlindje. Në një mënyrë ose tjetrën numrat pa dyshim janë të diskutueshëm.
Megjithatë, nëse shikohet me kujdes, mund të tregohet një histori tjetër. Për shembull, nuk është krejt e saktë nëse i referohemi vetëm një brezi të “emigracionit italian në Argjentinë”, sepse kur filloi ky proces, as Italia dhe as Argjentina nuk ekzistonin si shtete; e para e konsoliduar si e tillë në vitin 1870 pas marrjes se Romës, ndërsa e dyta dhjetë vjet më vonë, kur autoritetet kombëtare morën kontrollin e kryeqytetit Buenos Aires. Ndërkaq, njerëzit e zakonshëm që nuk mund të merrnin shtetësinë – komb inekzistentë ose prezentë vetëm në mendjet e disa politikanëve dhe intelektualëve iluministë, dhe të cilët identifikoheshin me mënyrën e tyre të jetesës, gjuhën, kulturën, vendlindjen, si dhe rajonet që ndanin me fqinjët, ku dominonin vlerat me të cilat i udhëhiqnin veprimet e tyre përgjatë gjithë jetës. Dhe kështu logjikisht vazhdon formimi i shteteve kombëtare, ku askush nuk ndryshon automatikisht brenda një dite dhe në asnjë çast nuk e harrojnë besimin në të cilin janë formësuar ata dhe brezat para tyre, nga një ndryshim i thjeshtë politik të cilin as nuk e njihnin. Për më tepër, këtë “ndryshim” të identiteteve ata e mendojmë si një proces të pushtimit gradual, avancim i një identiteti të ri por me rrugë të ndryshme, duke qenë edukimi dhe sistemi arsimor njëra ndër mënyrat e preferuara të këtij konvertimi, por jo edhe e vetmja. Madje, “gjenovezët” që erdhën këtu në mes të viteve 1850 – 1860, por edhe më herët, të cilët nganjëherë njiheshin edhe si “italian”, nuk vendoseshin në tërë Argjentinën, por së pari në Buenos Aires, Uruguai, Paraguai, si dhe në krahinat bregdetare të lumenjve dhe përroskave të “Río de la Plata”, ku kontrollonin trafikun detar përgjatë viteve. Domethënë, ata nuk shkuan në ndonjë qytet të caktuar, por në një rajon i cili kalonte kufijtë kombëtar, ku zhvillohej një veprimtari të cilën ata përgjatë gjithë traditës së tyre lundruese e ushtruan me leverdi.
Përballemi kështu me një ndryshim të perspektivës. Shpërnguljet mund të studiohen në nivel kombëtar, por gjithashtu më gjerësisht dhe në intensitet më të madh në nivel rajonal dhe lokal, për të ofruar shpjegime më të besueshme dhe të më të përafërta nga pikëpamja e emigrantëve (Dalla Corte, Gabriela y Fernández, Sandra, Lugares para la historia: espacio, historia regional e historia local en los estudios contemporáneos, Rosario, UNR, 2001.), sepse kjo që u ndodhi gjenovezëve nuk u ndodhi vetëm atyre, mirëpo shembulli i tyre mund të shihet në mijëra herë, siç ndodhi me rastin e baskëve të cilët krijuan identitetin e tyre mbi kufijtë e Spanjës dhe Francës, që kishte pak rëndësi për ta, dhe u angazhuan në vendpunishtet që i pozicionuan ata si tregtarë të mëdhenj, njëjtë sikurse fermerët, pronarët e tokave apo mjeshtërit e thjeshtë. Fakti që baskët dhe gjenovezët në mes tjerëve mund ti gjenim të shpërndarë në të gjithë tregun e punës, ata përqendroheshin në disa profesione shumë të veçanta që flet shumë për ta, dhe është tregues i proceseve tjera për të cilat do të flasim më vonë. Për momentin na mjafton të themi që është e padrejtë t’i referohemi shumë një gjenerate të “emigracionit evropian në Argjentinë”, sepse emigrantet nuk u shpërndanë përgjatë gjithë vijës bregdetare të shtetit, por mbi të gjitha ata u përqendruan në qytetin dhe krahinat e Buenos Aires, në fushat e pasura të krahinave fqinje si: Santa Fe, Entre Ríos, Córdoba o La Pampa, në tokat e pabanueshme të Patagonias, si dhe ne rajonet agro-industriale të sheqerit “Tucumán” dhe verës “Mendoza”. Por shkalla e prezencës së tyre ishte shumë inferiore në krahinat në brendinë e thellë, kështu që nëse në vitin 1914 emigrantët përbënin një të tretën e popullsisë së fshatrave dhe qyteteve të Buenos Aires, pak mbi nivelin kombëtar, dhe ishin gjysma e popullsisë mashkullore të kryeqytetit të Republikës së Argjentinës, megjithatë shumë pak mund të gjinden në rajonet veriore Katamarka dhe Salta, të prekura nga gjurmët e civilizimeve indigjene/vendase dhe nga pushtimi dhe dominimi i kolonive spanjolle.
Duke marrë parasysh numrin e madh dhe problemet që dalin nga statistikat e hyrje-daljeve të emigrantëve dhe të regjistrimit kombëtar, analiza mikro-hapësinore mund të zhvillonte format e artikulimit shoqëror që e ngarkojnë edhe më shumë peizazhin heterogjen në përgjithësi shumë kulturor të Argjentinës të para Luftës së Parë Botërore. Një shembull që meriton vëmendjen tonë në këtë artikull. Para disa vitesh, ishim duke studiuar përbërjen rajonale të emigracionit italian të drejtuar në Luján, që gjendej shtatëdhjetë kilometra në perëndim të qytetit dhe portit të Buenos Airesit. Shumë shpejtë, informatat e zbërthyera nga librat e gjendjes civile (lindjeve, martesave dhe vdekjeve) të regjistrit civil (Registro Civil de las Personas de Luján. Libros de actas de matrimonios. Libros de nacimientos y. Libros de defunciones (1889-1930). (Regjistri civil i banoreve të Luján. Certifikata e martesës, certifikata e lindjes, certifikatat e vdekjes (1889-1930), që përmbajnë të dhënat jetike të qyteteve dhe fshatrave të origjinës së emigrantëve italianë që jetojnë këtu, filluan të qarkullojnë zërat për fshehjen e shifrave në nivel shtetëror. Për italianët që vinin në Luján nuk mund të thuhej me vendosmëri që vinin nga e gjithë Italia. 15% ishin nga qytetet e vogla si “Piamontesa Mongiardino” në veri të gadishullit, 16% (Cipolletta, Elisabet, Silvestrín, Ana María y Marquiegui, Dedier Norberto;, “Inmigración italiana a Luján (1880-1914)” en Cuadernos de Historia Regional, vol V, nº 14, año 1989, f. 3-23.) nga krahina kalabreze “Cosenza” në jug. Pjesa dërrmuese e emigrantëve vinin nga një numër i vogël fshatrash të afërta me njëra tjetrën, të viseve malore të vendosura në mes të Apenineve dhe Detit Jon. Emrat e tyre: San Demetrio Corone, Santa Sofía d´Epiro, Vaccarizzo Albanese, San Cosmo Albanese, Macchia Albanese, ishin tregues të diçkaje që dukej e fshehur dhe që na tregonte gjurmët e një realiteti shumë më përfshirës që ishte në pritje të zbulohej (Ginzburg, Carlo, “Huellas. Raíces de un paradigma de inferencias indiciales”, recientemente reeditado en Tentativas,. Rosario, Prohistoria, 2004.). Shumë shpejt gjërat filluan të qartësohen. Në fakt bëhej fjalë për emigrantët që nuk mund të quheshin në të vërtetë italianë dhe as kalabrezë, por që ishin shqiptarë, më saktësisht arbëreshë të lindur në disa pjesë të vogla të Italisë. Pasardhës të drejtpërdrejtë të migrimeve të mëdha që nga shekulli XV ose dhe më herët, që kishin lejuar transferimin e pjesëve të tëra të Shqipërisë nën sundimin turk, edhe pse në parim kjo është një pike që duhet të përqendrohet sidomos në zonën e Kavajës e në të njëjtën mase edhe në Shkodër e Tropojë, të cilët gjetën strehim aty, dhe qe nga atëherë banimet e tyre te reja. Disa, emigrantë politik pjesëmarrës të krahut të pavarur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, më shumë emigrantë socio-ekonomik, të prekur nga pasojat e tmerrshme të luftës (Rotelli, Claudio (a cura di), Gli albanesi in Calabria. Secoli XV-XVIII, Cosenza, Edizioni Orizzonti Meridionali, 1990).
Për kuriozitet, deti të cilin duhej ta kalonin për të arritur në vendbanimet e tyre të reja, në vend se ti largonte ata, i afronte edhe më shumë me rrënjët e tyre. Kështu, të përfshira të gjitha fshatrat në një zonë me rreze të gjerë prej dhjetë kilometrash, e cila mund të ecej në këmbë brenda një dite, duke e ndërtuar atë që sociologët dhe antropologët e përshkruajnë si zonën e parë të kontaktit ndërpersonal, ku të gjithë anëtarët shoqërohen çdo ditë dhe jetojnë në kontakt të përhershëm, duke u njohur si pjesë e një identiteti të njëjtë, të një zone që italianët e quajnë “paese” (vend) me “p” të vogël për dallim nga “P” e madhe të “Paese” të shteteve kombëtare ku dominojnë banorët “paesanos”, e një kulture të përbashkët (Morel, Alain, “L’espace social d’un village picard” en Etudes rurales, 45, nº 73, 1972, f. 62-80.). Një tipar i theksuar në kohën kur komunikimi ishte i vështirë dhe realizohej në këmbë ose gomar, për shkak të terrenit malor me zonat qe i rrethonte fshatrat që shërbenin si vendqëndrim, me tendencë izolimi duke i ndarë nga pjesa e tjetër e Kalabrisë, që në të njëjtën kohë konfirmon mbështetjen e tyre për vlerat dhe kulturën e tyre të Gadishullit Ballkanik. Pra, nuk është e vështirë të nuhasim origjinën e zakonshme sociale të banorëve të fshatit arbëresh te Cosenza, që la një gjurmë të fortë në transferimin e personave dhe në të njëjtën kohë paralelisht transferimin e mënyrës së jetesës, zakoneve dhe gjuhës së tyre. Për këtë arsye, arbëreshët zakonisht nuk flisnin italisht në mes vete por e bënin në një variant të gjuhësh shqipe të njohur si arbëreshe, një emër që u bë i njohur dhe me të cilin u identifikua i gjithë komuniteti arbëresh. Natyrisht, nuk ishte vetëm gjuha elementi i vetëm që dallonte popullin me origjinë nga Shqipëria. Edhe feja luante një rol të rëndësishëm duke konsideruar banorët si pjesë e besimit katolik por me rite greko-bizantine. Duke ruajtur në të njëjtin nivel elementet tipike të veshmbathjes, mënyrën e të ushqyerit si dhe patriotizmin që kanë edhe sot, me figurë qendrore Skënderbeun.
Të themi, jemi dëshmitarë të një konglomerati social, njësia e të cilit nuk i referohet vetëm origjinës, por ajo është krijuar në përditshmëri nga banorët e fshatit edhe më shumë. Aktiviteti kryesor në të cilën mbështeteshin banorët e asaj zone ishte bujqësia, një pjesë e prodhimeve ndonjëherë destinoheshin edhe për treg. Këtu dominonte kultivimi i perimeve dhe bishtajoreve për konsum vetjak, që kombinohej me prodhimin më të specializuar të grurit, dhe frutave si: fiq, dardhë, rrush si dhe ullinj. Paralelisht me mbledhjen e gështenjave dhe kultivimin e dhive, derrave, deleve dhe lopëve, ata mbanin edhe gomar për transport si dhe shpezë për jetesën e tyre. Për kohët e vështira grumbulloheshin rezerva dhe ajo qe tepronte shërbente si ushqimin për kafshët. Të gjitha këto aktivitete bëheshin për të plotësuar dhe përmirësuar prodhimin përgjatë gjithë kalendarit bujqësor. Gjithashtu, falë zhvillimit fondamental të sistemit te shkëmbimit dhe ndërveprimit shoqëror që bashkonte të gjitha fshatrat dhe në këtë mënyrë që të bëhej një zonë me ndikim, pothuajse të pavarur. Prandaj në kohën kur fuqia punëtore kërkohej më shumë, të afërmit e një fermeri shkonin për të punuar në tokën e tij, duke llogaritur se do të merrnin të njëjtën ndihmë kur t’iu duhet atyre. Të njëjtat praktika zbatoheshin edhe në punët e tjera sikurse ndërtimi i shtëpive dhe punë tjera. Këto dhënie arrinin kulmin në festat e përbashkëta pas korrjeve, ku edhe më tej forcoheshin marrëdhëniet e tyre shoqërore.
Madje, duke marrë parasysh dobësitë e sistemit, ata bashkëpunuan pikërisht për këtë fund. Sepse, pavarësisht të gjitha përpjekjeve, toka jo-pjellore, ndonjëherë e fituar nga shpyllëzimet, dhe tej-shfrytëzimi i tepërt, përcaktuan nevojën për këmbimin dhe shitjen e mallrave, në kërkim të asaj që nuk kanë mundur apo nuk kanë arritur ta prodhojnë vet. Për këtë shkonin në tregjet e brendshme dhe të jashtme, sikurse rasti i Acri, një fshat kalabrez krejtësisht i dalluar për nga kultura që shtrihej në një distancë të shkurtër përtej malit, apo të Bisignano, selia e ipeshkvit ku grumbullonte famullitarët e tij. Por më interesante është mënyra se si këto marrëveshje individuale apo të zakonshme realizoheshin në kuadër të panaireve dhe që kontribuonin në rritjen e kontakteve shoqërore. Sepse panairet ishin më tepër se sa një vend për blerjen, shitjen apo këmbimin ë produkteve. Ishin pika takimi apo shkëmbim shoqëror ku merrte pjesë e gjithë familja, ku zakonisht qarkullonin informatat, mbaheshin vallet dhe festimet, si dhe forcoheshin zakonet e vjetra ose ndërtoheshin miqësi të reja të cilat në të ardhmen përqendroheshin në fejesa apo martesa. Ishin raste të veçanta, njëjtë sikurse festat fetare, ku çdo fshat në mënyrë të pavarur kishte kishën e vet, shenjtërorin (priftin) e vet që ndërmjetësonte në mes të Zotit dhe besimtarëve kur ishte dita e Shën Dimitrit apo Shën Mitrit (spanj: San Demetrio), Shën Atanasit (spanj: San Atanasio), e Shën Sofisë (spanj: Santa Sofía), Shën Gjergjit (Spanj: San Gorgio) dhe Shën Marisë të Konstgantinopojes (spanj: Santa María de Constantinopla). Familjet e të gjitha fshatrave u mobilizuan në mënyrë masive për të shkuar drejt fshatit nikoqir të festës, e që në përgjithësi shoqërohej me panaire, duke u zgjeruar me ngjarjet familjare si pagëzimet, martesat dhe varrimet, e që shërbente edhe si mundësi e shoqërimit dhe mund të shërbejë për qëllime të ndryshme. Me pak fjalë, nëse i përkasin të njëjtës kulturë dhe shoqëri, lidhjet e ngushta në bashkëjetesën e përditshme, në punë, në panaire dhe festimet e ndryshme, ndër të tjera definuan një univers të përkatësisë kulturore, dhe bënin thirrje për ndikim ne aspektet e ndryshme te jetës së anëtareve dhe familjeve, duke ofruar zgjidhje për problemet që në njëfarë mënyre duken vështirë të zgjidhen apo vështire të trajtohen individualisht. A ishin instrumente këto që bën të mundur emigrimin në Argjentinë? Kjo është pyetja që do të mundohemi ti përgjigjemi më vonë.
Tani për tani, na mjaftojnë provat e para që kemi rreth pranisë së emigrantëve arbëreshë në Luján që nga 1869, kur u arrit pajtimi se pjesa më e madhe e migrimeve ishte nga “Mezzogiorno” apo jugu i Italisë, janë shprehjet e përmendura pas krizës ekonomike të 1890, duke qenë se arbëreshët në përgjithësi as nuk mohohen dhe as nuk përjashtohen nga ky rregull. Por nuk mund ta mohojmë se të dhënat janë te pranishme në formularët e regjistrimit tek regjistrimi i parë kombëtar i realizuar atë vit (AGN (Archivo General de la Nación), Censo Nacional de 1869, Población, Cédulas Censales, tomo 130/131. (Arkivi i Përgjithshëm Kombëtar), regjistri civil i vitit 1869, Popullata, fletëregjistrimet, 130/131), dhe nuk ishte asgjë tjetër përveç se një që duhej plotësuar me dorë nga regjistruesit shtëpi për shtëpi. Në të vërtetë, edhe pse identifikoheshin si italian, mbiemrat e tyre tregonin prejardhjen arbëreshe, e të cilët punonin tokat bujqësore në qarkun e Pestës, pjesë e cila më pas do të përbënte zonën më të madhe të banuar nga ta. Një predispozitë fillestare e cila u bë shumë më e dukshme në formularët e vitit 1895 (AGN, Censo Nacional de 1895. Personas. Cédulas Censales. Tomos 766/767. (Regjistri Civil i vitit 1895. Popullata, fletëregjistrimet. Tomos 766/767), kur u zhvillua regjistrimi i dyte kombëtar i popullsisë, në të cilin është rritur numri i arbëreshëve në qarkun numër 5 – bartës të mbiemrave siç janë: Miracco, Frontera, Luzzi, Cadícamo, Belluscci o Baffa – edhe pa qenë akoma një numër i madh, atyre iu takonte ti përmbushin proceset në atë pjesë të privilegjuar në të cilën e shihnin si mishërimin lokal të vendlindjes dhe që do mbeten përgjithmonë të bashkuar në emër të tyre dhe të historisë: nuk po i referohemi lagjës Santa Elena (Marquiegui, Dedier Norberto, El barrio de los italianos. Los ítalo-albaneses de Luján y los orígenes de Santa Elena, Luján, Librería de Mayo, 1996.). Megjithatë, na konvenon të kërkojmë faktet se kush ishin dhe si kanë arritur deri këtu. Pyetjeve që nuk mund t’u përgjigjemi me saktësi të plotë më elementet që disponojmë, dokumentet zyrtare që plotësojnë nevojat e shtetit kombëtar, krahinore si dhe drejtoritë komunale nga të cilat varen dhe nga të cilat është ë pamundur ti përgjigjemi pyetjeve sikurse këto, që i përkasin më shumë sferës së jetës private. Normal që nuk mund të themi me saktësi arsyet që i sollën këtu, por kjo nuk na pengon të pranojmë rolin dhe rëndësinë që kanë pasur pionierët në tërheqjen e bashkatdhetarëve të tyre.
Të shkojmë me radhë. Qarku 5ª, pjesa kryesore e karrierës së tyre në Luján, ishte një hapësire që duhej nënshtruar ndryshimeve të thella. Fillimisht ishin prona kishtare, pjesë e vendqëndrimit të Virgjëreshës (Virgjërës Mari), që ndodhej në bregun e kundërt të qytetit të lumit Luján, e dedikuar nga shekulli XVII për të mbështetur tempullin e Virgjëreshës (Virgjërës Mari) dhe të kultit që i dhanë emrin fshatit, dhe fundin e urdhrit të vjetër kolonial dhe krijimin e një karakteri të ri revolucionar dhe të pavarur, duke shpërberë strukturën e tyre të parë, dhe nën-ndarjen në parcela-ferma më të mëdha dhe larg lumit, përfshi edhe ato të t ‘Pestit më të vogla dhe më të afërta – të gjitha të destinuara për bujqësi. Të projektuar për të siguruar të dhënat e popullatës lujánase dhe aledaña, si dhe për të siguruar të ardhura të mëdha në komunë dhe në kisha, me qira apo me shitjen e drejtpërdrejtë të ngastrave për shfrytëzim privat.
Pikërisht njëra ndër ta është Elena Torres de Muñiz, gruaja dhe trashëgimtarja e blegtorit José María Muñiz, e cila përveçse një zonjë fisnike, ishte e lidhur thellësisht me kishën dhe ishte pjesëmarrëse në një numër të madh të bamirësive, e cila ishte e bindur për të shitur Tokat e t ‘Pestës përball qytetit në anën e kundërt të lumit, në mënyrë që të bëhej vend për zgjerimin e ngadalshëm të strukturës urbane. Kërkesë për të cilën ranë dakord se rrugët fillestarë të grupimit njerëzore ne pajtim të thellë me religjionin, dhe emrat e shenjtërve. Prej aty, rruga kryesore dhe lagjja do te mbanin emrin e Santa Elena, në nderim të nënës së perandorit të parë katolik Konstantin, që në mënyrë të veçante sipas disa autoreve është në nderim të themeluesit të parë.
Për ndryshe, nuk është vetëm emri Elena që i kujton arbëreshët, që gjithnjë e më shumë arrinin në këtë destinacion, por ishin edhe ritet e vendit të tyre që i lidhnin me ata me ritet e kishës ortodokse bizantine. Është pranuar se Pablo Rossi, i ngarkuar me shitjen e ngastrave, ishte i huaj, mirëpo njëri ndër të parët e asaj lagje që nuk ishte të vetëdijshëm për këtë fakt, para se të hapej shitja pyeti nga se prej nga është. Nga Santa Sofía d`Epiro, u përgjigj Simón Baffa, dhe ajo rrugë u pagëzua Santa Sofía, dhe që nga atëherë u bë një magnet për grumbullimin e emigrantëve të rinj arbëreshë. Por nuk ishte vetëm ajo rrugë, por e gjithë lagjja që u shndërrua në një qendër tërheqëse për ardhjen e tyre. Jo vetëm në atë kohë, por që nga fillimi i shekullit e deri në Luftën e Parë Botërore, por në të dyja ngjarjet pasuese qe përfshijnë periudhën midis dy luftërave dhe atë nga viti 1946 deri me 1960.
Përse vinin këtu?: “Unë nuk jetoj në Luján, jetoj në t ‘Pestin”, përgjigjet ashpër një emigrant arbëresh banorë i Santa Elena, e njohur ndryshe si “Republika e t ‘Pestit”, dhe me këtë la të kuptojë se si e përkufizonin emigrantet e asaj origjine procesin në të cilën ishin pjesë e realitetit që i rrethonte. Në lagje kishin arritur të krijonin hapësirën e tyre shoqërore, duke trilluar identitetin (Conzen Kathleen Neil, Gerber, David, Morawska, Ewa, Pozzetta George y Vecoli, Rudolph, “The Invention on Ethnicity: Una Lettura Americana” en Altreitalie, año II, nº 3, 1988, f. 4-36.) e tyre ata dhe arrinin ti ruanin ele
mentet e tyre themelore që i përbenin, sikurse gjuha si dhe zakonet e tyre për të ndihmuar fqinjët. Për këtë, përpara pyetjes se cilat ishin arsyet që i quan ata në migrim, ata duhet të përgjigjeshin së pari për arsyet thelbësore. Në këtë drejtim, mbipopullimi ekstrem i zonës, një tokë e varfër dhe e mbishfrytëzuar, e copëtuar deri në pafundësi, në atë mënyrë që nuk do të mund t’ju garantonte të gjithëve qasjen në burimet që të sigurojnë mbijetesën e tyre. Këto janë të dhëna jo të vogla për të cilat nuk duhet shumë për të kuptuar se si duhet ndikuar në vendimet e fëmijëve të tyre në rast të emigrimit. Por ky shpjegim është kusht i mjaftueshëm (për diçka duhet migruar, nëse do ishte mirë do të rininë) por nuk arrijnë ta kuptojnë se përse arbëreshët të Arbërisë kalabreze në vend që të shpërndahen nëpër botë, ata jo që nuk e bënë këtë, por arritën në Argjentinë, dhe jo në tërë Argjentinën por në Luján, dhe jo në të gjithë Luján, por në “Republikën e t ‘Pestit”. Çka i solli deri këtu?
Përse e bën këtë vend, fillimisht i urbanizuar dhe i izoluar, i ndarë nga qyteti i Luján me lumin që i ndante, me përjashtim të urës se drurit që i lidhte, vend i preferuar për të reflektuar, duke ofruar më shumë qasje në punë, në vendbanime dhe mjete të transportit? Është i dukshëm dhe i pa mjaftueshme shpjegimi që emigrimet konsiderohen si bije te kapitalizmit, me theks të veçantë në krizën evropiane, dhe në futjen e Argjentinës në tregun ndërkombëtar si prodhues i lëndëve të para. Mund të thuhet se shqiptarët kanë emigruar që nga mesjeta, duke qenë migrimi pjesë e pandarë e historisë së njerëzimit. Paraqitja e emigrimit si rrjedhojë e mjerimit, ku njerëzit ishin të obliguar të iknin nga varfëria, arritja e industrializimit dhe shkatërrimi i aktiviteteve tradicionale, në të kaluarën kishte një imazh anakronik, ose në rastin më të mirë ishte vetëm gjysma e historisë. Shumë e dukshme, por pyetjet mbesin të pazgjidhura sesi ata planifikonin ikjen në një vend dhe jo në tjetrin.
arbëreshët e Luján, që vinin çdo herë e në numër më të madh, nuk ishin viktima por faktorë aktivë të fatit të tyre, të aftë për të bërë strategjitë e mbijetesës në kontekstin e krizës së madhe strukturale. Mund të themi se këtu fillon të vërehej roli i rrjeteve dhe marrëdhënieve shoqërore të trashëguara, dhe tanimë e pamë se si veprojnë në jetën e tyre të përditshme banorët e zonave shqiptare, por më vonë do ti shohim duke operuar edhe si burim i informacionit, që drejtonte vendimet që nga shokët e deri te familjarët, duke rregulluar çdo gjë në lidhje me emigrimin, kush dhe kur do të migroj, në cilën kohë nuk ishte e përshtatshme të behej për shkak të rrezikut se do të mund ti kthenin.
Ata gjithashtu brengoseshin për strehimin fillestar, punësimin, si dhe fatin e të sapo ardhurve (MacDonald, John and Leatrice “Chain Migration, ethnic neighorhood and social networks” en The Milbank Memorial Fund Quarterly (XLII), 1, enero de 1964, f 82‑96. Devoto, Fernando J, “Las cadenas migratorias italianas: algunas reflexiones a la luz del caso argentino” en Estudios Migratorios Latinoamericanos, año 3, nº 8, 1988, f. 103-123.), dhe kështu mundoheshin që të zvogëlonin në minimum pasigurinë që gjithmonë i përcillte ne këto lloj vendimesh.
Dokumentet dhe historia që tregonin emigrantët nuk lenin asnjë dyshim që vendi nuk ishte i papërcaktuar, por të vetmet informata që ju shkonin nga miqtë dhe familja banorëve të atyre zonave të humbura në mes të malit, ku ata vështirë se dinin se çfarë është Luján apo Argjentina, deri sa nuk ju merrnin këto informata. Ata që erdhën nuk ishin ndër më të varfërit, në përgjithësi e kishin të pamundur të lëvizin nga vendbanimi ose lëviznin në distanca të shkurtra.
Përndryshe, gati çdo herë bëhej fjalë për pronarët e parcelave të vogla, që në emër personal ose familjar mund ti shisnin pronat e tyre për të paguar shpenzimet e udhëtimit, ose ishin posedues të një kapitali qe shërbente për të financuar zhvendosjen ne të ardhmen. Në anën tjetër ata qe ishin këtu në përgjithësi u gjenin punë, në të njëjtin vend i strehonin ata në shtëpitë e tyre, të paktën deri sa arrinin një stabilitet solid. Për këtë arsye, arbëreshët që mirëpriteshin nga të tjerët në Santa Elena kishin për qëllim të rrinin në të njëjtin vend, e sidomos pas pavarësimit te tyre, ata blinin parcela për të ndërtuar shtëpitë, duke përfituar nga fakti qe ishin zona të reja që urbanizoheshin, dhe çmimi i parcelave ishte më i ulët në krahasim me pikat tjera të qytetit, përndryshe nuk do ta përballonin çmimin.
Si përparësi në përgjithësi shiheshin parcelat e mëdha, ndonjëherë sa ¼ e arës, që përpos shtëpive përdornin burimet për të bërë ara për mbjellje ku punonte e tërë familja dhe mund të kultivonin pemë, perime, të mbanin shpezë për ekzistencën e tyre, e që ndonjëherë ju ndihmonin të siguronin të ardhura edhe nga shitja e tyre. E gjithë kjo pa harruar përfitimet e jashtëzakonshme që bëheshin gjatë lëvizjes së përditshme në një kontekst shoqëror që nuk e kishin të pa njohur, me njerëzit që kishin të njëjtat zakone, të njëjtën kulturë dhe që flisnin gjuhën e njëjtë, e që ishte e vetmja mënyrë e komunikimit në mes të prindërve dhe fëmijëve brenda vendbanimeve të tyre (Marquiegui, Dedier Norberto, “Gli italo-albanesi di Luján: vecchie abbitudini in una nuova casa” en Antonino Denisi (comp), La mobilità internazionale e le nuove sfide alla società italiana, Cattanzro, Fondazione Antonio Guarasci- Rubbettino Editore, 1996, f. 125-169.). Për këtë, pasi pronat e tyre ishin aq të mëdha, në të njëjtën kohë ishte një investim për të ardhmen, dhe ato do të mund ti ndanin për secilin fëmijë kur të martoheshin për të shmangur ndarjen e familjes.
Dhe në fund, është e nevojshme ta cekim se shokët dhe miqtë ndihmonin njëri tjetrin edhe në ndërtimin e shtëpive, me një stil të thjeshtë të tullave që edhe në ditët e sotme mbahet mend, ku kjo ndihmë e ndërsjellët tregonte mënyrën e jetesës së tyre që nga fillimi. Kjo përfshinte gatimin e gjërave më të zakonshme ushqimore, pjatën tipike me mish të derrit, ku e njëjta gjë bëhej edhe për festimet e tjera sikurse mbyllja e fazave të ndryshme bujqësore, ndërtimin e suksesshëm të shtëpive apo tempujve që i dedikoheshin Shën Dimitrit apo Shën Mitrit (spanj: San Demetrio) i cili nuk mund të vendosej në Santa Elena sepse ata kishin famullitë e tyre duke ndërtuar me duart e tyre në lagjen San Bernardo.
Dhe në fund, përtej tipareve kufizuese, e bën lagjen më të rëndësishme të emigrantëve që manifestohej në të gjitha sferat e jetës dhe karshi botës së tyre, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se jetuan të izoluar. Zakonisht kryefamiljarët mungonin për një kohë të gjatë, sepse ishin përgjegjës për të siguruar të hyra për familjen, një numër i madh punësoheshin në korrjen e grurit, nganjëherë në të njëjtin mjedis të qarkut 5ª ose ju duhej të udhëtonin për në pjesët tjera. Në mungesë të tyre, nënat dhe fëmijët punonin në fushat familjare. Gratë ishin të ngarkuara të mbajnë marrëdhënie te mira me fqinjët, pasi qe lidhjet familjare shumë herë përfundonin në martesa, edhe pse përgjegjës mbeteshin burrat e tyre.
Sepse, nëse arbëreshët kalonin pjesën më të madhe të kohës në lagje, ndanin të njëjtën punë larg shtëpisë së tyre apo edhe në qark, ata bashkëpunonin me njëri tjetrin edhe në sfera të ndryshme, duke filluar nga lehtësimi për marrjen e informacioneve mbi emigrimin e bashkatdhetarëve të tyre, (leximi i letrave të arritura nga vendlindja, hartimi i përgjigjeve ishte një rast tjetër për tu mbledhur, veçanërisht duke pas parasysh se shumica e imigrantëve ishin analfabet dhe ju nevojitej ky lloj bashkëpunimi për tu informuar në lidhje me proceset ku merreshin vendimet) në aktivitetet e përditshme, ku ndanin gjuhën, fenë si dhe kohen e lirë; nuk duhej çuditur nëse themi se nga gjithë kjo lidhshmëri përbënte një grup thellësisht endogam (qark i mbyllur).
Si rrjedhojë, të 111 arbëreshët që u martuan legalisht në Luján në mes të 1889 (viti që u krye regjistri civil) dhe 1920 (kur filloj të vërehet zona e banuar prej tyre), gjysma e tyre martoheshin me personat e të njëjtit vend, 7% prej tyre me personat e krahinës së Cosenza që po ashtu ishin arbëreshe, dhe 10% me argjentinase – vajza të arbëreshëve. `
Mund të nxjerrim një përfundim se gati 70% e bashkësive të regjistruara si arbëreshe zgjedhjen e bashkëshortit e orientonin brenda universit të tyre socio-kulturor. Ndërsa nga pjesa prej 30% prej tyre, 19% kishin lidhje me argjentinas (edhe pse 10% ishin italian, nuk mund të përjashtojmë se ata i kanë takuar një sfere të ndikimit shqiptar që është shtrirë edhe jashtë rajonit kalabrez), me italian, dhe pak nga ta me komunitetet tjera. (Marquiegui, Dedier N. “Reti sociali, solidarietà etnica e identità. L’impatto delle catene italo-albanesi a Luján” en G. Rosoli (a cura di), Identità deli italiani in Argentina. Reti sociali, famiglia e lavoro, Roma, Studium, 1993., f. 205-240.)
Megjithatë kjo nuk do të thotë që arbëreshët u izoluan. Përkundrazi, lagjja Santa Elena pavarësisht mbizotërimit të saj, ishte dhe vazhdoi të bëhet çdo herë e më shumë një bashkësi (konglomerat) sociale heterogjene. Fëmijët e emigrantëve edhe pse në shtëpitë e tyre flisnin shqip (arbërisht), në shkolla publike mësonin spanjisht dhe ishin të përfshirë në kulturën dhe simbolikën patriotike të Argjentinës, të cilën e bartnin edhe në shtëpitë ë tyre.
Gjithashtu, ata ishin të parët që krijuan klubin sportiv të Santa Elena, me këshillin e vet drejtues që nga viti 1920, duke i lënë vend një identiteti shumë të popullarizuar, i aftë që të tërheq mbështetjen e banorëve të t ‘Pestës në turnetë e natës të ligës lujáneze të futbollit, deri në përfundim të viteve 60’. Edhe pse shumë prej tyre nuk dinin për rrënjët dhe të kaluarën e tyre (Club Santa Elena, Libros de actas..) edhe para kësaj, anëtarët e sektorit privat, më të theksuarit nga aspekti shoqëror merrnin pjesë në jetën sociale të Sociedad Italiana Príncipe de Nápoli, nga Gadishulli (Marquiegui, Dedier N. “Asociacionismo, liderazgo étnico e identidad. Un enfoque comparado (Luján, 1876-1920)” en Studi Emigrazione, Roma, anno XXXI, nº 115, 1994, f. 427-460.) përfaqësues të italianëve të jugut, që nënkupton se nuk do të heqin dorë nga identiteti arbëresh.
Ata gjithashtu ndjenin se i takonin një universi tjetër si emigrantë që gjithmonë i takonin Italisë së Jugut, dhe që gjithashtu e kishin një ide të italianizmit që përshkruhet si Jugu i largët i izoluar. Me kalimin e kohës, dhe mbi të gjitha nga ndikimi i Luftës së Parë Botërore, gjithmonë insistonin në Italinë e bashkuar mbi ndarjet e shumta, dhe në një manifestim në Luján, u bë themelimi i “la Sociedad Unión Italiana de Socorro Mutuos”, që absorboi në brendësi të gjitha shoqëritë rajonale dhe politike që i paraprinë asaj (Marquiegui, Deber N, “La construcción de la Italianidad en Argentina (Luján, Provincia de Buenos Aires,1870-1920)” en Locus, Revista do Historia, Minas Gerais (Brasil), Departamento de História do Instituto de Ciências Humanas (ICH) da Universidade Federal de Juiz de Fora s,, 2009.).
Natyrisht se për arbëreshët kjo nuk kishte asnjë kuptim sepse ata nuk e humbnin identitetin e tyre arbëresh i cili i karakterizonte, dhe që vazhdojë të jetë i tillë në mesin e atyre që mbijetuan. E njëjta gjë ndodhë edhe me të “të qenit argjentinas”, ku një pjesë e tyre u ndjenë të përfshirë dhe këtë e dëshmuan në shenjë falënderimi të asaj toke qe i mirëpriti dhe ju sigurojë strehim gjatë jetës, si dhe banorët e atyshëm u familjarizuan me gjuhën dhe kodet për bashkëjetesë të përditshme, duke mos hequr dorë nga ajo që ishin. Elementi i argjentinizimit të suksesshëm ishin fëmijët e tyre, të edukuar në shkollat publike, dhe ishin shumë të hapur në ndërveprim me grupet tjera, e që përbënte një faktor privilegjues në lindjen e kulturës së re në vendin e tyre. Megjithatë, duhet të përsërisim se një pjesë e institucioneve italiane dhe argjentinase asnjëherë nuk kanë ndaluar së menduari si arbëreshë.
Deklarata e fundit megjithatë përfshin disa pyetje te tjera të lidhura me këtë. Përfundimisht, nëse Luján ishte skenari i një përvoje që nxjerrë në pah praninë absolute, apo që arbëreshët udhëhiqnin edhe pjesët të tjera, në vende nga të cilët dalin shembuj të pakrahasueshëm apo që nuk janë të cekura më lartë. Në parim, janë të njohura rastet e General Rodríguez dhe të Jáuregui, qytete fqinje të Luján dhe kryesisht modelin e taksave që zhvillonin ata.
Siç shihet në rastin e Jáuregui, i riemëruar më pas si Villa Flandria në nderim të Courtrai, vendlindja e afaristit Julio Steverlynck në Flandet belge, që duke shfrytëzuar objektet ekzistuese mundësoi krijimin e suksesshëm të një fabrike në fshat. Fondacioni i ri që u krijua përreth industrisë së pambukut, ishte qendra e ekzistencës e tyre dhe J. Steverlynck diti të zgjedhë, sikurse rasti i arbëreshëve të t ‘Pestit, të cilët i tërhoqi më lartë për shkak të rrogave të larta në fabrikë, dhe gjithashtu duke i ri-konvertuar në rrjetet ndër personale që ata kishin përdorur si zinxhirë për migrim duke ju garantuar emigrantëve qasjen në pronat e mëdha me fonde të gjëra, ku pasardhësit e t ‘Pestit në masë të madhe kopjonin mënyrën e jetesës në Santa Elena.
Gjithashtu kjo ju shërbejë të siguronin punëtorë të besueshëm dhe më pak kundërshtues, në atë masë që punën duhet ta fitonin falë ndërlidhjes me të afërmit të cilët nuk dëshironin të ndikonin në krijimin e problemeve (Barbero, María Inés y Ceva, Mariela, “La Vida obrera en una empresa paternalista” en Devoto, Fernando y Madero Marta (comp), Historia de la vida privada en Argentina, Bs. Aires, Taurus, 1999, tomo 3, f. 141-168.).
Një rast i ngjashëm duket të jetë ai i qytetit Rosario në provincën e Santa Fe, kur arritën arbëreshët e Ginestra, Ripacandida, dhe Basílicata italiane e Potenza, të gjithë fermerë të një fshati të mbipopulluar, të varfër dhe te ndarë, që kur arritën në portin e brendshëm të Argjentinës bën thirrjet e njëjta si ata të Lujánit, duke praktikuar gjuhen e zakonet e tyre të “gjitonias” shqiptare në lagjen e metalurgjike të ACINDAR, ku kjo fabrike do t’i rekrutojë apo t’i përdorëte në mekanizmat e ngjashëm të udhëhequr nga Algodonera Flandria (Argiroffo Beatríz y Etcharry Claudia, “Inmigración, redes sociales y movilidad ocupacional: italianos de Ginestra y Ripalimosani en Rosario (1947-1958)” en Estudios Migratorios Latinoamericanos, año 7, nº 21, 1992, f. 345-370.).
Këto janë me të vërtetë, komunitetet arbëreshe më së miri të dokumentuara nëpërmes të hulumtimeve sistematike të realizuara, por kjo nuk do të thotë që arbëreshët kalabrez të Acquaformosa, Castroregio, Cerzeto, Cervicati, Falconara Albanese, Firmo, Frascineto, Fuscaldo, Lungro, Montecassano, Plataci, San Benedetto Ullano, San Martino di Finita y Spezzano Albanese en Cosenza, de Barile o San Constantino Albanese në Potenza dhe të la Piana degli Albanei në Sicili, nuk kane emigruar për të ndikuar më shumë apo më pak në jetën e qyteteve të ndryshme të Argjentinës. Shumë shpejtë do marrim vesh praninë e komunitetit arbëresh në La Plata, kryeqyteti i provincës së Buenos Aires, më saktësisht e vendosur në Berisso, si dhe prania e tyre në qytetet e tjera të Argjentinës si: Chaco, La Pampa, Chaco apo Mendoza.
Natyrisht që ka edhe një numër në qytetin autonom të Buenos Aires, kryeqytetit të Republikës, ku gjendet prania e Asociacionit Rekreativ te Frascinet, si dhe ka të dhëna te jetës së emigrantëve në Lungosi dhe në të ashtuquajturën lagjja Boedo, mjaftueshëm për ta themeluar një përfaqësim të Santa Iglesia Ortodoxa të shqiptarëve në diasporë. Përfundimisht këto janë gjurmë të izoluara të një historie që duket jo e qartë dhe që duhet të shkruhet. Një histori e panjohur, edhe pse Ambasada Shqiptare asnjëherë nuk e vlerësoi, ku rreth 20.000 apo 30.000 arbëreshë kanë hyrë në Argjentinë në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX bazuar në të dhëna , që do të thotë se ka ende gjera të paqarta, sikurse statistikat dhe regjistrimi ku ata llogariten si italian. Por që, studimet historike dhe antropologjike në disa vende do të vazhdojnë deri sa të hedhet dritë mbi historinë pas historisë.
Përktheu nga spanjishtja: Altin N. Ademi
Ky shkrim është botuar në: Poeta nascitur, historicus fit. Ad honorem Zef Mirdita. (Ed.) Albert Ramaj, St. Gallen 2013 fq. (f. 987-998), Autori i shkrimit D. N. Marquiegui ka botuar një monografi për arbëreshët në Argjentinë: “El barrio de los italianos: los italo-albaneses de Lujan y los origenes de Santa Eelena/DiasporaShqiptare.al/