Deputeti socialist Arben Pëllumbi, pjesë e komisionit hetimor për inceneratorët, thotë se komisioni nuk është Prokurori.
Në një deklaratë për mediat pak pas kryetares së komisionit Jorida Tabaku, Pëllumbi theksoi se anëtarët e komisionit duhet të jenë të kujdesshëm që të mos dalin në përfundime të parakohshme dhe të mos japin pretenca.
“Edhe pse kemi theksuar që komisioni duhet të përfundojë punën dhe të dalë me raport, e anëtarët e komisionit hetimor duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos dalim në përfundime të parakohshme dhe të mos japim pretenca. Që të gjitha palët, jemi për të njëjtin qëllim, për të bërë transparencë në lidhje me këtë çështje.
Emergjenca mjedisore që kishim në këto zona nuk ekziston më. Për çdo gjë tjetër që ka çështje penale janë investuar institucione përkatëse.
Ne si deputet duhet t’i qëndrojmë strikt detyrës që na është përcaktuar dhe mos bëjmë deklarata dhe konkluzione të parakohshme. Inceneratori është përfunduar dhe është në kalim të pronësisë së shtetit.
Inceneratori i Fierit është në procesin e kolaudimit. Tirana ka shpëtuar nga një gangrenë jo vetëm për Kombinatin por për të gjithë Tiranën.
Nga një vend i ndotur gjetëm një vend të lulëzuar dhe të pyllëzuar. Se çfarë është zhvilluar brenda kompanive private dhe në raportet e një kompanie me një tjetër nuk janë objekt i komisionit por Prokurorisë së Posaçme”, tha Pëllumbi.