Kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja, ka paralajmëruar të tjera goditje të bujshme në ditët në vijim. I pranishëm në tryezën e organizuar dje në Tiranë për 5-vjetorin e reformës në drejtësi, Kraja u shpreh se hetimi do të shkojë deri në fund për të gjithë ata që janë të përfshirë në veprimtari kriminale apo korrupsion, qofshin ata njerëz të thjeshtë apo zyrtarë.
Duke iu referuar goditjeve të fundit të bëra nga SPAK, ku në dosje korrupsioni janë përfshirë edhe politikanë apo zyrtarë të lartë, Kraja deklaroi se të gjithë janë të barabartë para ligjit. “Nga kontaktet që kemi me partnerët, BKH është gati të fillojë punë me një grup shumë efikas.
Ka pasur rezultate konkrete. Rezultatet e dy apo tre muajve të fundit kanë treguar se struktura po fillon të funksionojë dhe të japë produktin e saj. Ka pasur ndëshkueshmëri me konfiskime pronash nga aktiviteti kriminal, por edhe hetime e ndjekje penale ndaj personave, zyrtarë apo jo zyrtarë, hetimi ndaj të cilëve do të shkojë deri në fund.
Pavarësisht kush do jenë personat apo personazhet e përfshirë në hetim, ne do t’i shkojmë deri në fund”, tha ai. Ndër të tjera, Kraja u shpreh se është parë që nga ana e qytetarëve të kemi rritje të besimit në institucionet e drejtësisë. Ai theksoi se lidhjet politike nuk do mbrojnë më askënd nga SPAK.
“Për SPAK ka qenë një vit intensiv, ndërsa shihet se ka një rritje të besimit të njerëzve. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që mes pritshmërisë dhe realizimit janë dy koncepte të ndryshme. Koncepti i pandëshkueshmërisë për arsye të lidhjeve politike do marrë fund”, tha Kraja.
Harta e re gjyqësore
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela i cili mori pjesë në tryezën e organizuar dje, foli sa i përket hartës së re gjyqësore. Çela ka kërkuar ndryshim urgjent të hartës së re gjyqësore, ku KLGJ ka prezantuar që nga 34 gjykata që janë aktualisht të ngelen 15 dhe vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë. Ndër të tjera, ai theksoi se situata në disa prokurori është e rënduar për shkak të vakancave dhe se duhet që të merren masa.
“Harta e re gjyqësore, kërkon një ribërje dhe kjo është emergjente. Sa i përket situatës në disa prokurori të vendit, është e rënduar për shkak të vakancave dhe ajo që parashikojmë për në vjeshtë, kjo situatë do jetë edhe më keq, rrezikojmë që stoku i dosjeve të bëhet i papërballueshëm në kushtet e vonesës.
Ndryshimi në ligjin e magjistraturës, kohëzgjatja e mësimeve, viti i tretë të kthehet në vit pune, siç ka qenë më parë. Garantimi i prokurorëve duhet një rritje e dhënies së llogarisë së tyre, mungon matja e performancën profesionale, kërkon një prokurori që vepron si një e tërë, sot sistemi aktual përtej zgjedhjeve të guximshme ka nevojë për përmirësime që të çojë të rritja e eficencës”, tha Çela.