Përveç plazheve, detit apo qyteteve të bukura, turistët e shumtë që kanë mbushur Shqipërinë këtë sezon veror mund të shijojnë dhe shumë aktivitete lokale, me një atmosferë festive e sportive. Këtë javë, këto aktivitete do të mbizotërojnë buzë Jonit e Vjosës, në kala e fshatra turistikë.
Për t’ju bashkuar këtyre organizimeve, kryeministri Rama u bën thirrje qytetarëve që të shkarkojnë aplikaciionin “TEA”, i cili tashmë është hedhur në treg nga Agjencia Kombëtare e Turizmit. “TEA” është një risi teknologjike për turizmin shqiptar, një kalendar digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës.
Aplikacioni “TEA” është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion mund të gjenden aktivitetet që do të ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Ky aplikacion ka shërbyer për orientimin e turistëve, të cilët përveç bukurive natyrore të mund të shijojnë dhe mësojnë më shumë rreth traditës.