Avokati i njohur Idajet Beqiri është i bindur se Apeli do ta rrëzojë vendimin e gjyqtarit Zhukri, i cili njohu komisionin e Rithemelimit të PD. I ftuar në një intervistë televizive, Beqiri tha ditën e djeshme se Berisha nuk ka fituar asgjë me vendimin e Zhukrit.
“Jam i bindur që Apeli do ta deklarojë të pavlefshëm vendimin e gjyqtarit Zhukri. Në këtë vendim ka gjëra që prekin palët e tjera. Në këtë vendim është shkarkimi i kryetarit të partisë, por kryetari i partisë kur shkarkohet gjykata duhet ta thërrasë për pretendimet e veta. Sipas vendimit do vendosin vulë tjetër, por kryetari i komanduar Alibeaj mund të thotë që nuk pranoj dhe pse duhet të ndryshojë vula.
Dhe me këta drejtues PD u regjistrua edhe në zgjedhjet e 6 marsit, pra është njohur. Berisha nuk ka fituar asgjë me vendimin e Zhukrit. Berisha e bën zhurmën kot”, u shpreh Idajet Beqiri. Kujtojmë se Partia Demokratike e ka kallëzuar në SPAK gjyqtarin, Agron Zhukri.
Sipas dokumentit të PD, Zhukri ka shkelur vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore. Po ashtu PD zyrtare i kërkon SPAK-it të administrojë kamerat e gjykatës, ku shihet qartë takimi i gjyqtarit Zhukri me një nga përfaqësuesit e atij që njihet si Komisioni i Rithemelimit.
PD sqaron se gjyqtari Zhukri e ka caktuar seancën pas këtij takimi. Në kallëzim theksohet se gjyqtari Agron Zhukri ka shkelur rëndë ligjin duke marrë një vendim pa patur më parë një vendim të formës së prerë për pasqyrimin e ndryshimeve statutore të 17 Korrikut. Pa patur vendimin e zbardhur për këto ndryshime, gjyqtari Zhukri e ka patur të pamundur të shohë përputhshmërinë e akteve të 11 dhjetorit me statutin e 17 Korrikut, ku bazohet edhe kërkesa e palës tjetër për 11 dhjetorin.