Nga Anri Bala
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për mos shkarkimin nga funksioni i presidentit Ilir Metën, është në fakt një goditje e rëndë, jo për shtetin shqiptar, por qytetarët shqiptarë, që akoma nuk i kishin humbur shpresat se: Drejtësia vonon por kurrë nuk harron!
E vërteta është krejt ndryshe: Zoti vonon por kurrë nuk të harron!
Mirëpo duke qenë se ne na e kishte ënda që të ishte kështu dhe nuk po ndodh kështu, më në fund u bindëm se drejtësia nuk vjen. Është një “mision i pamundur”, këtu ku na ka rënë koka dhe fati të lindim, sepse nuk ka nga vjen dhe kush ta sjellë.
Ajo tashmë është si Doruntina, që pret të vij Kostandini i kallur në dhe… dhe të mbaj fjalën e dhënë. Pritja është e kot, sepse me ato që po shikojmë, Kostandinin e kanë mbuluar tre male me dhe, me gurë dhe nuk ka mundësi të çohet kurrë.
Ajo që vdes e fundit, u varros… shpresa më në fund vdiq, kur një nga gjykatat kryesore të shtetit shqiptarë, përpos verbërisë i jep vlera dhe çmendurisë!
Kur mijëra qytetarë prisnin të provonin atë që kishin dëgjuar nga gojët e liga dhe të mira, e pagëzuara Gjykatë Kushtetuese, ua ngriu buzëqeshjen, jo se Ilir Meta nuk u shkarkua, por sepse veprimet prej të marrësh, sipas qenefdrejtësisë, na qenkan… Kushtetutshmëri.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ne nuk e paskemi ditur se jetojmë në shtetin e të marrëve, ku marrëzia më e madhe është virtyt i këtij vendi dhe me të drejtë nuk na lejohet të ankohemi se nuk vlerësohemi, sepse nuk i përkasim kësaj bote… çmendisë.
Për një gjë ama na vjen keq, për mundin që na shkoi dëm dhe gënjyem veten me verbërinë tonë duke hapur pavione psikiatrie, me të çmendurit e padrejtësisë mëmë dhe me bujë i quajtëm dhe i quajmë… salla drejtësie./Ekskluzive.al