Pas një periudhe të gjatë përplasjesh në Egje, Athina dhe Ankara do të ulen në të njëjtën tryezë përsëri në 25 janar për të hapur pas shumë kohësh dosjen e ndarjes së zonave detare midis dy vendeve.
Dialogu teknik midis dy vendeve, do të fillojë nga pika të ndryshme fillestare, pasi Turqia, siç u duk nga deklaratat e Ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşolulu dje, dëshiron që diskutimi midis dy palëve të jetë i pakushtëzuar, ndërsa Athina nxitoi të thotë se do të ulet në tryezë vetëm për përcaktimin e zonave detare.
Ftesa e djeshme e hapur e Çavuşolulu për të rifilluar kontaktet eksploruese, pa ndonjë ultimatum ndaj ndaj Athinës, vjen pasi Turqia gjendet në një pozicion të vështirë përballë Bashkimit Europian, me Francën që duket e vendosur për të çuar deri në fund miratimin e sanksioneve kundër Turqisë nëse vazhdon eksplorimin e naftës dhe gazit në Egje.
Greqia nga ana tjetër duket se po e shfrytëzon tërheqjen e anijeve të kërkimit të naftës nge Egjeu për të treguar se ajo do të kthehet kthehet në tryezën e dialogut, por po vendos kushtet e veta. Deklarata e kryeministrit Mitsotaqis ka shënuar një pikë kthese në politikën e jashtme të Athinës, pasi Greqia dhe Qiproja deri tani kanë refuzuar të negociojnë çështjen e kufirit detar me Turqinë, duke pretenduar se kjo tashmë është e rregulluar me kontrata ndërkombëtare.
Mesazhi i Mitsotaqis për Turqinë
Disa orë pas ftesës së hapur të Çavuşolulu dhe disa orë para ftesës zyrtare nga Ankaraja për të rifilluar dialogun më 25 janar në Tiranë, me ndërmjetësim e Shqipërisë, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk e fshehu skepticizmin në lidhje më ndëryrjen e vendit tonë, duke kërkuar që dialogu të zhvillohej sipas procedurave “europiane”.
“Greqia do të vijë në tryezën e bisedimeve, kur të caktohet një datë përkatëse, duke ndjekur udhëzimet e dhëna nga Këshilli Evropian, duke e vazhduar atje ku në mars të viti 2016, duke përcaktuar zonat detare në Egje dhe Mesdheun Lindor”, deklaroi kreu i qeverisë greke.
Çavuşolulu foli për një dialog të pakushtëzuar mbi të gjitha çështjet e hapura midis dy vendeve, duke kërkuar të negociojë të gjitha pretendimet e Ankarasë në Egje. Mediat greke shkruajnë se është e sigurt që Turqia do të vendosë në tryezë një numër çështjesh siç është demilitarizimi i ishujve. Edhe nëse, në mënyrë hipotetike, pala turke ngre këto çështje, si në të kaluarën, atëherë grekët thjesht nuk do të pranojnë t’i diskutojnë.
Athina vendos kushtet e veta
Ministri i Jashtëm Grek, pas ftesës së hapur të Çavuşolulu, kishte deklaruar se Athina do të diskutojë mbi bazën e së Drejtës Ndërkombëtare caktimin e kufijve dhe shelfin kontinental. Kreu i ekipit diplomatik grek që do të marrë pjesë në raundin e 61-të të kontakteve kërkimore pritet të jetë ambasadori. Pavlos Apostolidis, i cili ka drejtuar ekipin që nga viti 2010.
“Sidoqoftë, gati pesë vjetësh pauze në bisedimet dypalëshe, Athina nuk e di saktësisht se çfarë të presë, duke pasur parasysh të gjitha ato që kanë pasuar që nga përpjekja e grushtit të shtetit kundër Rexhep Tajip Erdogan në vitin 2016 dhe kthesa e qartë nacionaliste që Ankaraja ka marrë që nga ajo kohë”, shkruan “Ekathimerini”.
Përveç kësaj, është gjithashtu e qartë në Athinë se shumë prej asaj që diskutohet në publik ka për qëllim të hutojë publikun, si propozimi që Kryeministri shqiptar Edi Rama të shërbejë si ndërmjetës dhe që takimi i ministrave Nikos Dendias dhe Mevlut Çavuşolulu zhvillohen në Tiranë, gjë që pala greke nuk e pranon.”
Bisedimet për ndarjen e zonave detare mes dy vendve janë të vështira, duke pasur parasysh që nga viti 2002 deri në vitin 2016 Greqia dhe Athina arritën një pakt prej 5,000 faqesh për demarkacionin e ujërave territoriale, e cila u hosh poshtë në momentin e fundit.
Në çdo rast, takimi i parë pritet të ketë një natyrë zbulimi, pasi delegatët grekë do të kërkojnë të kuptojnë se cilat do të jenë vijat politike të homologëve të tyre turk dhe në këto diskutime.
Rëndësia e rifillimit të këtyre kontakteve u theksua nga zëdhënësi kryesor i Komisionit Europian për punët e jashtme, Peter Stano, i cili theksoi të hënën se jo përshkallëzimi dhe normalizimi i marrëdhënieve greko-turke është një pjesë shumë e rëndësishme e marrëdhënieve BE-Turqi, pasi çështjet që ndikojnë në marrëdhëniet e Turqisë me çdo vend anëtar të Bashkimit janë çështje që kanë të bëjnë me të gjithë BE-në.
Cilat janë mosmarrëveshjet?
Një nga “vështirësitë” për arritjen e një mirëkuptimi të qëndrueshëm midis BE-së dhe Turqisë është çështja e operacioneve të Turqisë për të nxjerrë naftë dhe gaz përpara Qipros dhe ishullit grek të Kretës. Ato kanë nisur në vitin 2019 dhe pritet të vazhdojnë edhe këtë vit.
Sfondi i kësaj mosmarrëveshjeje janë pretendimet për zonat detare në Mesdheun Lindor. Për dekada të tëra Ankaraja e ka halë në sy faktin, se ishujt e shumtë grekë në brigjet e Egjeut nuk i lejojnë asaj të krijojë një Zonë Ekonomike Ekskluzive të rëndësishme.
Mevlut Çavuşolulu e quajti kohët e fundit “të papranueshëm” faktin që ishulli i vogël grek i Kastelorizos, i cili gjendet më shumë se 500 kilometra larg Athinës dhe jo larg brigjeve të Turqisë të ketë si pretendim një sipërfaqje prej 200 miljesh detare në çdo drejtim.
Edhe pse ende nuk ka ndonjë vendim gjykate, qeveria turke njoftoi se në shtator të vitit të kaluar se do të ndërmarrë pranë ishullit të Kretës shpime për naftë dhe gaz, duke i cuar dy vendet sipas kancelares gjermane Angela Merkel në prag të luftës.
Greqia ka ndjekur një politike detare ekskluziviteti në Mesdhe, për t’i siguruar vetes hapësira sa më të mëdha juridiksioni detar të shfrytëzimit dhe përdorimit të pellgjeve të naftës dhe të gazit dhe për ta bërë Greqinë një forcë dominuese në detin Mesdhe dhe në detet lidhur me të, që nga deti Egje e deri në detin Jon. Zbulimi i rezervave të mëdha të gazit dhe të naftës në Mesdheun Lindor, të cilat sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan vlerësohen në qindra miliarda dollarë, bënë që politika detare e Greqisë të orientohej në krijimin e aleancave dhe grupimeve detare, që mënjanojnë Turqinë si një fuqi e madhe mesdhetare.
Në këtë kuadër Greqia krijoi koalicione të reja energjetike me Qipron, Egjiptin, Izraelin, Libanin, etj. Koalicionet energjetike greke kanë një emërues të përbashkët, që zgjedhin shtete në konflikte dhe në armiqësi me Ankaranë, duke synuar që Turqia të përjashtohej nga përfitimet në zonat e reja detare me pellgje nafte dhe gazi në Mesdheun Lindor. Kjo gjeopolitikë energjetike përjashtuese do të lindte konflikte të reja, në zhvillim e sipër, lidhur me shfrytëzimin e burimeve energjetike të rajonit mesdhetar.
Së pari, lindi konflikti për zonën ekonomike ekskluzive të Qipros, të cilën Athina e konsideron të drejtë ekskluzive vetëm të qeverisë së Qipros Jugore greke, duke përjashtuar qeverinë dhe popullin e Republikës turke të Qipros Veriore, që gjithashtu ka të drejtën që të shfrytëzojë burimet e naftës dhe të gazit në hapësirat detare qipriote.
Së dyti, lindi konflikti i ri për pellgjet e naftës dhe të gazit, që janë në zonën ekonomike ekskluzive midis Turqisë dhe Libisë, dhe të cilat Greqia i pretendon për veten e saj.
Parimi i rëndësishëm është që e drejta e shfrytëzimit të burimeve të naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor duhet të jetë kolektive e të gjitha shteteve të rajonit dhe jo vetëm i njërit shtet apo i një grupimi të mbyllur energjetik dhe politik. Por përe aq kohë sa Ankaraja dhe Athina hedhin poshtë pretendimet dhe të drejtat e njëra-tjetrës konflikti duket i pashmangshëm.
Megjithatë, falë edhe presionit të Gjermanisë për të arritur një marrëveshje, dy palët duket se lënë mënjanë për një moment dhe të ulen në të njëjtën tryezë.
“Ekathimerini”, “IN.gr”, “Haber”- SI