Juristi i njohur, Romeo Kara ka paralajmëruar telashe për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit dyshohet se është përfshirë në shumë afera korruptive e kriminale dhe për këtë arsye dje për më shumë se 3 orë, ai është pyetur nga prokurorët e SPAK rreth pasurisë së tij përrallore dhe shpenzimeve marramendëse. Meta doli i shpërfytyruar dhe i shkalluar dje nga dera e SPAK. Por për këto dhe të tjera çështje të nxehta që kanë lidhje me Metën, sidomos ato që vijnë nga Prokuroria Speciale, ka folur edhe juristi Kara, i cili ka denoncuar presidentin e PL, Ilir Meta në SPAK sa i takon aferës “CEZ-DIA”.
Zoti Kara gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zbuloi se është gati arrestimi i Ilir Metës dhe se sipas tij, kjo është seanca e fundit e pyetjeve të tij në SPAK. Po ashtu, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, juristi Kara tregoi gabimin ligjor që do të çojë në prangosjen e Metës. Sipas tij, seanca e pyetjeve e ka gjetur të papërgatitur Metën, sidomos nga ana psikologjike, aq sa pësoi një çoroditje diarre mentale pa dalë mirë nga gardhi i SPAK-ut.
– Zoti Kara, 24 orë pasi shkallët e Prokurorisë së Posaçme i kishte ngjitur bashkëshortja e tij kryemadhi, në SPAK ditën e djeshme u paraqit presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Për mbi 3 orë e 20 minuta Presidenti i PL është pyetur për të njëjtën çështje, pasuria, paratë dhe lobimet në SHBA. Ai në pyetje u mor nga prokurori i dosjes së hetimit pasuror dhe lobimeve në Uashington Sotir Kllapi, por si në hyrje edhe në dalje akuzat e forta i kishte për kreun e SPAK, pa lënë mënjanë etiketimet fyese. Mendoni se po ngushtohet laku për Ilir Metën?
Besoj se çakërdisjet e bëra tashmë zakon nga Ilir Meta sa herë që hyn e del nga SPAK-u, e vërtetojnë më së miri ngushtimin e lakut të drejtësisë ndaj tij dhe gruas së tij. Sot, pasi doli nga seanca tre orëshe e pyetjeve në SPAK, ai u soll si person nën akuzë, gjë që më ka shtuar besimin se ndaj tij shumë shpejt do të kemi një komunikim akuzë.
-Meta thotë jam i pastër dhe ndërkohë sulmon ashpër kreun e SPAK. Si e shikoni sjelljen e tij?
Domethënë është i pastër, por, i djeg shumë. Njeriu që nuk ka llogari të hapura me drejtësinë, mbi të gjitha e bën gjumin e qetë. Shume pak pushtetarë dhe ish-pushtetarë në Shqipërinë e pas viteve ’90 kanë luksin që ta bëjnë gjumin e qetë. Ilir Meta duke mos pasur mundësi që ta ndryshojë të kaluarën e tij pengmarrëse, e ka humbur durimin, qetësinë dhe logjikën, duke kaluar në agresivitet ndaj çdo personi dhe institucioni që po kërkon të zbatohet drejtësia tek ai. Pavarësisht se fajin ia ka tërësisht vetja e tij, ai nuk arrin të gjejë as forcën minimale të përballet si një qytetar normal me drejtësinë, por kërkon te fshihet pas gishtit dhe akuzave për konspiracion ndaj tij.
Pra fajin sipas tij, ia kanë organi i akuzës, denoncuesit dhe dëshmitarët dhe jo ai si autor i veprave jo të pakta penale. Meta tashmë ka shfaqur në mënyrë të përsëritur një sjellje sa të pahijshme në fjalor, po aq të dënueshme edhe ligjërisht, duke pasur parasysh cenimin e dinjitetit të personave publike për shkak të detyrës se tyre, shantazhimin publik të tyre dhe kërcënimin për shkak të detyrës. Kjo sjellje gjithashtu flet edhe për një rrëgjim moral dhe mental të tij, duke na prezantuar thelbin ordiner jo vetëm të tij, por të të gjithë politikës së lartë 33 vjeçare. Ky lloj takëmi na ka qeverisur dhe po na qeveris prej 33 vitesh.
-Cilat janë provat që e kanë fundosur Ilir Metën në SPAK, sipas jush?
Pa dashje ai zbuloi diçka nga kjo seancë pyetjesh ku ne mësuam prej tij se, ai po hetohet deri në detaje lidhur me pasurinë e tij, hetim i shtrirë vite me pas, ku organi i hetimit po heton lidhjet shkak-pasojë si për vilën e famshme të Lalzit me lejën e ndërtimit ashtu është dhuratat për ditëlindje dhe transfertat brenda dhe jashtë LSI-së. Kjo seancë pyetjesh e ka gjetur të papërgatitur, sidomos nga ana psikologjike, aq sa pësoi një çoroditje diarre mentale pa dalë mirë nga gardhi i SPAK-ut. Nuk do të çuditesha që kjo të ishte seanca e fundit e pyetjeve të tij në SPAK për këto akuza dhe ndaj tij të lëshohej shumë shpejt një urdhër arresti. /Intervistoi: Rigels Seliman