Gazetari Anri Bala u shpreh se nuk është aspak optimist për situatën e opozitës aktuale dhe të vetmen shpresë e sheh tek bashkimi në zgjedhje. Por edhe në këtë rast, momenti është shumë i vonë për të arritur diçka.
“Nëse PD është vjedhur është vjedhur Lulzim Basha, jo Sali Berisha (më 2021). Kur Berisha ankohet, e ka për votat e Bashës më 2021, se vetë ka qenë kandidat për deputet. Sot Berisha, Meta dhe Rama, të gjithë energjinë e kanë për të ruajtur lirinë, pasurinë dhe karrigen e pushtetit. Tani që ka hyrë SPAK ata kanë prioritete të tjera. Pra përfshi edhe Ramën, beteja e tyre është për të ruajtur lirinë dhe pasurinë.
Berisha bëri një vit luftë me SPAK dhe aktualisht ndodhet në të njëjtën pikë ku ishte në fillim. Mendoj se Berisha ka humbje në vota në Partinë Demokratike. Unë mendoj se opozita nuk ka mundësi tjetër përveç bashkimit. Besoj se e kanë të pamundur edhe po të bashkohen, për shkak të retorikës, strategjisë, gjuhës së përdorur. Demokratët e kanë ngrënë turpin me bukë me LSI-në, në koalicionin që Berisha bëri”, tha Bala.
Por u kundërshtua nga anëtari i kryesisë së Partisë së Lirisë, Faik Basha, i cili tha se sondazhet tregojnë se opozita i fiton zgjedhjet me 65%.
“Rama rekruton nga opozita, si Lulin dhe të tjerët. Berishën e izoluan 11 muaj dhe tani ai është i lirë. Sepse elementë brenda drejtësisë përdoren për të goditur opozitën dhe njerëzit e saj. Qëllimi për zgjedhjet parlamentare është për të goditur fortë sistemin. Meta ligjërisht nuk pengohet të kandidojë, por e pengon fizikisht për të qenë në fushatë, për deputet apo për kryeministër, jo se nuk kandidon dot. Ne duhet të bashkohemi, në një listë, në një front. A ka çuar Rama në 12 vjet ndonjë zyrtar në SPAK? Sondazhet e brendshme dalin që 65% fiton opozita më 2025”, tha ndër të tjera ai.