Amerikanët kanë zbardhur të fshehtat e majit 1996, muaj i cili do mbahet mend gjatë në historinë e Shqipërisë. Më 26 maj u zhvilluan zgjedhjet, zgjedhje të cilat u manipuluan nga partia në pushtet, gjë që solli më pas kontestime të forta nga opozita socialiste e asaj kohe.
Por ngjarjet më të rënda ndodhën dy ditë më pas, më 28 maj, ku anëtarë të Partisë Socialiste dhe forcave të tjera opozitare, u dhunuan barbarisht nga policia. Emra si Erjon Braçe, Servet Pëllumbi, Ndre Legisi, Blendi Gonxhja, Paskal Milo, Skënder Gjinushi, etj., u përgjakën nga forcat e rendit që ushtronin terror rrugëve të Tiranës. Dje u shënuan 23 vite nga tensionet e 1996 dhe për këto ngjarje kanë hedhur dritë dhe amerikanët.
Gazeta ka siguruar raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 1996, si dhe dy artikuj të “The New York Times” më 27 dhe 28 maj. Aty tregohet qartë irritimi amerikan me Berishën. “Katër vjet pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, vendi ende nuk ka vendosur një demokraci me respekt për të drejtat e njeriut.
Natyra staliniste e të kaluarës së vendit dhe trashëgimia një-partiake u reflektuan tërësisht në tentativat e pushtetit për të bërë të heshtin kritikët. Gjyqet politike, fushatat mediatike dhe dhuna e policisë u përdorën kundër të gjithë anëtarëve të opozitës, si dhe kundër të gjithë të tjerëve që shprehnin mendime kundër atyre të pushtetit”, thuhet në raportin e DASH të 1996. Po ashtu shqetësim është ngritur dhe te dhuna policore. Sipas raportit, policët kanë dhunuar shumë protestues të opozitës së asaj kohe.
“Një tjetër shqetësim për të drejtat e njeriut ishte niveli i lartë i abuzimit të policisë i raportuar gjatë vitit. Policia shpesh përdorte metoda të ekzagjeruara dhune ndaj anëtarëve të opozitës, kryesisht ndaj socialistëve ose Aleancës Demokratike.
Viktima të saj ishin gjithashtu protestues të tjerë jo të dhunshëm, si ish-të burgosur politikë, punonjës në grevë dhe homoseksualë. Gjithashtu ka prova të shumta për dhunën ndaj të burgosurve gjatë kohës së arrestimit dhe të paraburgimit”, thuhet në raport.
Ngjarjet e 28 majit 1996
Teksa DASH është fokusuar në aspekte të përgjithshme, gazeta amerikane “The New York Times” ka raportuar atë ditë me detaje zhvillimet në Tiranë. Sipas kësaj gazete, deputetët e PS u masakruan, ndërsa Berisha është akuzuar se ja kalonte dhe Enver Hoxhës.
“Duke përshkallëzuar taktikat represive që shënuan zgjedhjet parlamentare të së dielës, policia speciale rrahu dhe arrestoi sot anëtarë të opozitës në sheshin kryesor. Megjithëse President Sali Berisha shpalli fitoren në zgjedhje, për të cilat shumë vëzhgues ndërkombëtarë thanë se kishin shkelje serioze, ai ndaloi mitingun e opozitës sot.
Shumë prej atyre që e sfiduan masën e ndalimit, duke përfshirë dhe burra të vjetër e gra që ishin pranë sheshit, u rrahën me shkopinj nga policët para monitoruesve të OSBE, të cilët shikonin nga ballkoni i hotelit të tyre aty pranë. Pranë sheshit kishte njerëz me fytyra të gjakosura. Rreth 12 liderë të opozitës u rrahën dhe u futën në furgonë policie në shkallët e Pallatit të Kulturës.
Shumica e tyre më vonë u lirua, por zëvendëskryetari i Partitë Socialiste, Servet Pëllumbi, u la në burg, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i partisë Aleanca Demokratike, Arben Imami, ishte në gjendje të rëndë në spital”, ka raportuar media amerikane. Më tej është shkruar se ngjarjet e 28 majit 1996, kanë qenë më të rëndat në Europën Juglindore që pas rënies së sistemit komunist.
Berisha, diktator
Në shkrim janë përmendur dhe reagimet e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve, të cilët kanë qenë të alarmuar, ndërsa Berisha cilësohet diktator. “Opozita ishte tërhequr nga zgjedhjet prej fundit të votimit të dielën dhe mitingu i sotëm ishte për të thirrur zgjedhje të reja.
Veprimet e Berishës, për të cilin kritikët thonë se po merr pamjen e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, kanë akoma më shumë kuptim në një kohë kur SHBA dhe Evropa Perëndimore e kishin përkrahur si njeriun e tyre kryesor në Ballkan. Uashingtoni kishte mbështetur ish-komunistin Berisha, me ndihmë ekonomike dhe ushtarake, dhe në këmbim Berisha kishte nxitur përmbajtje te shqiptarët e Kosovës për të kërkuar autonomi nga Jugosllavia”, thuhet më tej në artikull. /Kliti Topalli