Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duket se nuk po i shpëton dot “luftës” me amerikanët. Ditën e djeshme Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Këtë herë çështjen do ta shqyrtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.
Por gazeta ka mësuar se në seancën e djeshme në Gjykatën e Lartë u vu re edhe prania e amerikanëve. Sipas informacioneve, mësohet se dje në seancën për çështjen “Tahiri” kanë qenë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, të cilët mësohet se kanë hyrë në ambientet e Gjykatës së Lartë nga dera ku hyjnë gjyqtarët, për të shmangur vëmendjen e mediave. Në këtë kontekst, të njëjtët burime theksuan për gazetën se përfaqësuesit e SHBA janë tejet të interesuar për gjyqin e Tahirit, pasi e kanë ndjekur procesin qysh në fillimin e tij.
Madje, mësohet se kjo lëvizje e amerikanëve ndaj ish-ministrit të Brendshëm, ka ardhur pas monitorimit të rreptë që i bënë gjyqit të ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe për faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej kohësh janë investuar në reformën në drejtësi dhe në zbatimin e saj. Kështu që gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri duket se për amerikanët është një rast për t’u parë sesi zbatohet reforma në drejtësi në vendin tonë.
Ndaj dhe SHBA-të e kanë ndjekur në vazhdimësi këtë proces, sikundër ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme. Ndërkohë bëjmë me dije se para se çështja të shkonte në Gjykatën e Lartë, gjyqi maratonë ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri është ndjekur nga dy përfaqësuese të ambasadës amerikane në Tiranë. Kanë qenë dy që kanë ndjekur gjatë gjithë kohës procesin gjyqësor dhe gjatë mbrëmjes së të enjtes së 19 shtatorit të vitit 2019 ato u larguan nga gjykata pasi u dha vendimi për ish-ministrin Tahirin, i cili u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove.
Tahiri loboi në SHBA
Megjithatë ditën kur u dënua ish-ministri i Brendshëm, Ambasada e SHBA në Tiranë, e cilësoi një hap të rëndësishëm dënimin e Tahirit për shpërdorim detyre, por theksoi se është shkurajues si fakt përballë akuzave të rënda që prokuroria kishte ngritur ndaj tij për trafik droge dhe grup kriminal, të cilat nga gjykata u vlerësuan pa prova.
Nga ana tjetër, gjatë kohës që pritej të vendosej në Gjykatën e Posaçme të Apelit në SPAK për dosjen e Saimir Tahirit, ish-ministri i Brendshëm ka lobuar në Uashington kundër qëndrimeve të Ambasadës së SHBA në Tiranë për çështjen e tij. Gazeta “SOT” zbuloi një dokument zyrtar të depozituar më 24 gusht të vitit 2020 në Departamentin e Drejtësisë që konfirmon se Saimir Tahiri ka pajtuar një kompani amerikane me zyra edhe në Bukuresht të Rumanisë për të lobuar në Kongresin Amerikan.
Kompania në fjalë ishte “Stone Strategic Solutions SRL”. Objekti i kontratës mes kompanisë “Stone Strategic Solutions SRL” dhe Saimir Tahirit ka qenë lobimi në Kongresin Amerikan për të ndalur komentet e ambasadës amerikane në Tiranë në një kohë që procesi gjyqësor ndaj tij ishte në zhvillim. /NGA RIGELS SELIMAN