Ftohen raportet e presidentit Ilir Meta me amerikanët. Gjatë vitit 2020 presidenti nuk ka kursyer sulmet dhe akuzat ndaj ndërkombëtarëve, ndërsa reforma në drejtësi ka qenë objekt goditjesh.
Madje presidenti arriti deri aty sa çdo ditë hidhte postime në rrjetet sociale ku pretendonte se reforma ishte kapur nga qeveria. Të gjitha këto duket se i kanë kushtuar shtrenjtë, pasi reforma në drejtësi është një investim amerikan.
Dje në SHBA është mbajtur Mëngjesi i Lutjeve, një aktivitet i përvitshëm. Të tilla veprimtari Presidenti nuk i ka lënë asnjëherë t’i ikin nga duart, pasi çdo 7 shkurt udhëtonte në SHBA për të marrë pjesë në aktivitetet që zhvillonte Shtëpia e Bardhë.
Këtë vit ky aktivitet u zhvillua online dhe pjesëmarrës ishin përfaqësues të Partisë Socialiste, presidenti Ilir Meta dhe kreu i Republikanëve Fatmir Mediu. Por nga vendi ynë foli vetëm Mediu dhe askush tjetër, ndërkohë presidenti nuk reklamoi fare pjesëmarrjen në këtë aktivitet.
“Nder dhe kënaqësi e veçantë të bashkohesha në lutje së bashku me liderët e SHBA dhe miqtë në Kongresin Amerikan dhe Senat së bashku me Presidentin Biden dhe ish-presidentët Klinton, Bush, Obama, Trump në takimin virtual të lutjeve.
Për mua ishte moment i veçantë dhe privilegj që personalisht të kisha kënaqësinë së bashku me 13 përfaqësues të tjerë nga gjithë bota të bëheshim bashkë në Lords Prayer për t’ju bashkuar mesazheve të presidentit, ish-presidentëve të SHBA si dhe senatorëve e kongresmenëve.
Ky ishte Mëngjesi i 69 i Lutjeve që zhvillohet nga Kongresi Amerikan me prezencën e Presidentit të SHBA që në kohën e Presidentit Ajzenhauer. Ky është një aktivitet i jashtëzakonshëm ndërkombëtar, i cili këtë vit u zhvillua në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë”, tha Fatmir Mediu dje në një postim për mediat. Ajo që vihet re është se ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta janë sulmuesit më të mëdhenj të reformës në drejtësi e sidomos SPAK.
Presidenti nuk para flet vetë, por partia e tij sulmon çdo ditë, duke i sfiduar fare hapur amerikanët. Duket se këto qëndrime i kanë ftohur raportet e Metës me SHBA. Elementi tjetër është se në pushte erdhi Joe Biden, ai i cili nisi reformën në drejtësi me administratën e Obamës.