Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i ndahen ish-kryeministrit Sali Berisha. Pasi e shpallën “non grata” dhe i rrëzuan shpresat se vendimi i Departamentit Amerikan i Shtetit kundër tij mund të zhbëhej, amerikanët e kanë vënë në monitorim të rreptë ish-liderin demokrat.
Dje në Kuvendin e Shqipërisë u votua shtyrja e mandatit për organet e vetingut, ku ra në sy fakti se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste bashkuan votat, ndërkohë që Berisha dhe mbështetësit e tij deklaruan publikisht votën kundër.
Madje ish-kryeministri Berisha gjatë gjithë ditës së djeshme në Parlament dhe në daljet e shpeshta publike, hodhi akuza të forta në adresë të reformës drejtësi, që sipas tij, është e kapur.
Amerikanët monitorim të rreptë Berishës
Por sulmet e Sali Berishës në adresë të reformës në drejtësi dhe rëndësia që kishte miratimi i zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut, kanë bërë që në Kuvend dje të zbarkojnë amerikanët.
Disa përfaqësues të ambasadës së SHBA në Tiranë të shoqëruara nga përkthyesja janë parë në lozhat e Parlamentit, ndërsa kanë parë nga afër votimin e deputetëve për zgjatjen mandatit të vetingut. Mirëpo misioni i tyre nuk ishte vetëm monitorim i seancës plenare, por edhe Sali Berisha.
Gjatë qëndrimit në lozhën e Kuvendit të Shqipërisë dhe në një kohë që ish-kryeministri Sali Berisha ishte duke folur në Parlament e sulmonte reformën në drejtësi, shihej që përfaqësuesëve të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu përkthehej fjala nga përkthyesja.
Ndërkohë gjithashtu përveç se i përkthehej fjalë për fjalë e gjithë deklarata se çfarë Berisha po thoshte në Kuvend, zyrtarët amerikanë mbanin edhe shënime. Pra e gjitha kjo tregon qartë që amerikanët po i bëjnë monitorim të rreptë Sali Berishës.
Berisha akuza reformës në drejtësi
Megjithatë më herët gjatë ditës së djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi votën kundër zgjatjes së mandatit të vetingut. I pyetur nga gazetarët para futjes në Kuvend, Berisha theksoi se pengu dhe pengmarrësi janë në bashkëqeverisje, duke iu referuar kreut të PD dhe kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë procesin e vetingut, ish-kryeministri e cilësoi si gjah shtrigash i përdorur me disa standarde dhe tha se kurrë nuk do ta votojë një proces që nuk e besojnë më qytetarët shqiptarë.
“Është bashkëqeverisja e pengut me pengmarrësin. Unë i kam shprehur të gjithë qëndrimet e mia ndaj këtij procesi gjigant korruptiv që shoqërohet në çdo hap me shkelje të rënda ligjore të konstatuara dhe u përdor për gjah shtrigash nga Edi Rama me ndihmën e mikut të tij Soros.
U përdorën disa standarde dhe ky është një proces i flakur që nuk i beson më shoqëria shqiptare. Unë kurrë nuk do të votoj kundër atyre që besojnë shqiptarët”, deklaroi ai. Ndërkohë po dje, ish-kryeministri Berisha duke folur brenda në Kuvend, e cilësoi procesin e vetingut si hanxhar politik.
“Këtu po diskutohet për njërën nga pseudoreformat me pasojat më katastrofale në historinë e këtij vendi, të ashtuquajturën reformë të drejtësisë, që i preu, i këputi shtyllën kurrizore shtetit shqiptar. /NGA RIGELS SELIMAN
Kjo reformë pati pasoja nga më katastrofale për qytetarët shqiptarë, për shtetin dhe Shqipërinë. Në themel të këtyre pasojave qëndron manipulimi dhe përdorimi i procesit të vetingut si hanxhar politik për gjahun e shtrigave, për spastrimin e drejtësisë mbi baza krahinore, fetare dhe politike”, nënvizoi Berisha.