Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandar Karpushin tha se Rusia asnjëherë nuk ka folur për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ky, sipas tij, është një projekt i SHBA-së.
“Nuk e kuptoj pse kërkoni nga unë si përfaqësues i Rusisë, të komentojë idenë të cilën e promovojnë zyrtarët e SHBA-së. Siç mund ta kujtoni, në gusht të vitit 2018, John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, ka folur për mundësinë e zbatimit të këtij skenari, sikurse edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit Metthew Palmer”, ka thënë ambasadori rus, në një intervistë për A2 CNN.
Diplomati rus përsëriti qëndrimin se Rusia mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka theksuar në mënyrë të përsëritur se vendi ynë është gati të pranojë çfarë do zgjidhje të pranueshme që palët e arrijnë përmes dialogut dhe në përputhje me Rezolutën 1244”, ka thënë diplomat rus.
Megjithatë, sipas tij, deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë deklaratë zyrtare përmes së cilës do të vërtetohej që palët po e konsiderojnë ndryshimin e kufijve si zgjidhje të situatës.
Ideja e ndryshimit të kufijve është përmendur disa herë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mbështesin një marrëveshje paqeje për të cilën bien pajtohen të dyja palët.
Zëvëndësndihmës-sekretari amerikan, Matthew Palmer, ka thënë kohë më parë se Uashingtoni iu bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.
“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, pati thënë Palmer në Beograd gjatë adresimit në forumin e sigurisë “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”.
Sipas tij, SHBA-ja e kupton shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon stabilitetin e rajonit”.