Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, i ka kërkuar gazetës Dita nëpërmjet një letre të hapur, të mos e krahasojë Elbasanin me Palermon. Kjo, pasi sipas tij, Palermo nuk ka lidhje me mafien.
Letra e plotë
Disa muaj më parë pata rastin t’i shkruaja një letër një kolegu tuaj të një tjetër gazete lidhur me një krahasim të padrejtë të Kalabrisë me problemin e kriminalitetit në këtë vend. Në atë kohë vura theksin në faktin se disa paragjykime ndaj Italisë ishte e vështirë të harroheshin edhe këtu në Shqipëri; një vend që, fatkeqësisht është, edhe ky, viktimë klishesh.
Duhet t’i rikthehem çështjes së stereotipëve negativë pasi gazeta juaj i ka përdorur, duke folur për Elbasanin sikur të ishte “Palermo e Shqipërisë”. Besoj se ky krahasim jo vetëm që nuk është i drejtë por edhe i vjetëruar tashmë. Palermo e ditëve të sotme është shumë e ndryshme nga ajo që përshkruhet para më shumë se tridhjetë vjetësh në serialin e njohur televiziv “Oktapodi”. Sot Palermo është një qytet me një rimëkëmbje të plotë ekonomike, shoqërore, artistike dhe kulturore.
Disa vite më parë gazeta angleze “The Guardian” i ka kushtuar madje një shkrim me titullin mjaft domethënës: “The resurrection of Palermo: from mafia battlefield to cultural capital”. Në dekadat e fundit qyteti, në fakt, është transformuar, madje ka ditur të përqëndrohet tek kultura, tek mikpritja, tek mjedisi, tek ekonomia, tek siguria.
Palermo është kulturë. Në vitin 2018 qyteti ka qenë kryeqendra e kulturës. Po në të njëjtin vit ka qenë selia e një prej Bienaleve më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Evropë, “Manifesta 12”, tema qendrore e të cilit ishte natyra. Në vitin 2016 Muzeu Arkeologjik Antonio Salinas çeli një seli të re e cila iu bashkëngjit 35 muzeve të tjerë të qytetit.
Palermo është zhvillim urbanistik. Bashkia, së bashku me qeverinë qendrore, sapo ka nisur realizimin e shtatëmbëdhjetë projekteve për rikualifikimin urban, restaurimin dhe mirëmbajtjen e po kaq ndërtesave dhe zonave të qendrës historike, investim ky që kap shifrën e pothuaj njëqind milion eurove falë “Kontratës Institucionale për Zhvillim”. Bëhet fjalë për projekte të financuara edhe nga shitja e pasurive që i janë konfiskuar mafies.
Palermo është “e gjelbëruar”, me tramvaje elektrike të fjalës së fundit dhe me një metro që lidh periferinë me qendrën e qytetit. Gjiri i Cala-s strehon me qindra varka, ngjyra e blertë dhe kafe rrethon portin e lashtë, turistë, këmbësorë e çiklistë shijojnë një vend unik për nga bukuria.
Palermo është një qytet rinor. Në vitin 2017 ka qenë Kryeqyteti italian i rinisë, ndërsa ka promovuar projekte me qëllim nxitjen e të rinjve për të qëndruar në Sicili si dhe për t’u dhënë atyre mundësi të reja rritjeje.
Palermo është ekonomi. Turizmi rritet, shtohet në mënyrë marramendëse numri i start-up-eve, rritet punësimi falë investimeve si rezultat i lehtësirave fiskale dhe mbështetjes për thithjen e punojësve të rinj, rriten investimet në ndërtesat publike, në shkollat e në rrugët e reja falë edhe investimeve të konsiderueshme shtetërore dhe rajonale (540 milion euro).
Edhe sektori i digjitalizimit ka shënuar përparime domethënëse: për të dytin vit rradhazi Sicilia është Qarku i parë në Itali për rritjen e bandës së frekuencës të shpejtë dhe ultra të shpejtë ndërsa në vitin 2022 do të jetë zona më e digjitalizuar e Evropës.
Palermo është një qytet i sigurt. Krimet janë në rënie (në 2019 u ulën me 4 përqind), në rënie janë edhe vjedhjet dhe vrasjet (katër gjithsej nga 1 marsi i vitit 2020 deri më 31 mars 2021). Palermo, krahasuar me qytetet e tjera të mëdha italiane, shënon një nivel të përgjithshëm kriminaliteti (duke iu referuar këtu të gjitha krimeve) më të ulët se gjithë të tjerat.
Në vitin 1817, në librin e tij të famshëm “Udhëtim në Itali” shkrimtari i madh gjerman, Johann Goethe, shkruante se Palermo është vendi më i mahnitshëm në botë. Një “stereotip” i vërtetë sot sikurse ishte po kaq i vërtetë më shumë se dy shekuj më parë.
Do t’ju isha mirënjohës nëse do të mund të botonit këtë letër timen.