Pas takimit të kryediplomatit holandez Peter Blok në Parlamentin vendase për procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, ambasada holandeze në Tiranë, thekson se debati është përgatitje për takimin e Këshillit Europian të Çështjeve të Përgjithshme që do të mbahet në datën 10 nëntor.
“Pjesë e këtij debati u fokusua në përgjithësi për paketën e zgjerimit, përfshi edhe Shqipërinë”- sqaron ambasada.
Në reagim thuhet se duhet të plotësohen të gjitha kushtet e vendosura në mars 2020 sipas konkluzioneve të Këshillit Evropian dhe më pas do të zhvillohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare.
Reagimi i ambasades holandeze:
Në datën 6 tetor, Komisioni Europian publikoi paketën e zgjerimit, pjesë e së cilës ishte dhe raport progresi për Shqipërinë për 2020.
Ditën e premten, datë 3 tetor, qeveria holandeze dërgoi në parlament vlerësimin e saj për këtë paketë zgjerimi.
Po të njëjtën ditë, Ministri Blok dhe Ministri në detyrë Cakaj patën një takim online, gjatë të cilit Shqipëria u komplimentua për progresin e bërë me reformat, pavarësisht rrethanave të vështira.
Sikurse citohet edhe në letrën dërguar Parlamentit, qeveria holandeze e njeh se Shqipëria ka vijuar të bëjë përparim në të gjitha fushat kryesore (prioritetet kyçe).
Njëkohësisht, qeveria nënvizon se është e rëndësishme krijimi i Gjykatës Kushtetuese funksionale në Shqipëri, amendimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias si dhe vijueshmëria e punës me ndërtimin e track-record në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Holanda mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të mbështetur Shqipërinë në reformat e vazhdueshme në forcimin e shtetit ligjor.
Njëherë që të gjitha kushtet e vendosura në mars 2020 sipas konkluzioneve të Këshillit Europian të jenë përmbushur, do të zhvillohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare.
Sonte ka pasur një debat në parlamentin holandez në përgatitje të takimit të Këshillit Europian të Çështjeve të Përgjithshme që do të mbahet në datën 10 nëntor. Pjesë e këtij debati u fokusua në përgjithësi për paketën e zgjerimit, përfshi edhe Shqipërinë.