Një djalë i ri nga Anglia, i njohur për rrengjet që bënte dhe publikonte në “Youtube”, e teproi me projektin e tij të fundit, kur u desh ndërhyrja e zjarrfikësve që ai të shpëtonte.
Ai tentoi që të çimentonte kokën e tij brenda një mikrovale, të cilën e përdori si kallëp. 22-vjeçari, i filmuar nga shokët e tij, mbuloi kokën me një qese për ta mbrojtur, e më pas e futi në mikrovalë, ku derdhi kovën e mbushur me çimento.
Duket se nuk i kishte bërë llogaritë mirë, pasi çimentoja u ngurtësua shpejt duke i ngecur kokën brenda, në rrezik serioz që të mbeste pa frymë.
Të parët që i shpëtuan jetën ishin miqtë e tij, që gjetën një mënyrë për të futur në mikrovalë një tub gome, nga i cili 22-vjeçari merrte frymë.
Më pas, ata u detyruan të thërrasin zjarrfikësit, pasi një orë e gjysmë tentativa për të çliruar shokun e tyre dështuan.
Zjarrfikësve dhe ekipit të emergjencës iu deshën një orë që ta çlironin në mënyrën më tradicionale, me daltë dhe çekan për të thyer betonin e krijuar rreth kokës së tij.