Ndonëse demokratët, siç konfirmoi pak kohë më parë numri dy i PD, Gazment Bardhi, nuk kanë ende një vendimmarrje nëse do të jenë në parlament në shtator, aleatët e vegjël, të cilët ishin në listat e PD-së, e kanë marrë vendimin.
Kryetari i PDIU-së, shpëtim Idrizi, tha dje se partia që ai drejton do të hyjë në Parlament që të zgjojë e të mos e lërë të heshtur çështjen çame.
Në Parlamentin e ri të shtatorit, PDIU do të përfaqësohet me tre deputetë: dy në Tiranë, Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda, dhe një në Fier me Nustret Avdullah, të cilët dolën që të tre deputetë nga listat e Partisë Demokratike.
Por edhe pse dolën deputetë nga PD, tani ata nuk kanë ndërmend të presin vendimin e PD-së, por e kanë ndarë mëndjen për të hyrë në Kuvend.
Shpëtim Idrizi nuk është i vetmi që ka vendosur që të futet në Parlament pa u konsultuar me aleatin e madh, PD.
Gazeta “Panorama” pyeti edhe aleatët e tjerë nëse kishin një vendimmarrje për t’u futur në Parlament.
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i cili ishte i dyti në listën e PD në Durrës u shpreh se për të nuk është në axhendë fare diskutimi për të mos u futur në Parlament.
“Unë e kam thënë që pas përfundimit të zgjedhjeve që do të jem patjetër në Parlament. Nuk mund të ketë një vendimmarrje tjetër. PAA nuk mund të ndjekë më nga pas asnjë”, u shpreh Duka.
Ndërkohë, duket se marrëdhënia e Partisë Agrare Ambientaliste me selinë blu nuk është e njëjta që kishte para zgjedhjeve.
Edhe Fatmir Mediu ka thënë se do të hyjë në Parlament në shtator, por ai thotë se në fakt, e gjithë opozita do të hyjë në Parlament, duke përfshirë edhe PD-në.