Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu zbuloi një detaj për protestën e radhës që opozita pritet të mbajë ditën e diel.
Ndërsa ftonte qytetarët që të bashkohen më 2 qershor, Balliu tregoi se ajo do të jetë një protestë revoltë massive, që sipas tij, do të hyjë në histori.
“Thirrje çdo qytetari të na bashkohet më datën 2 qershor, në një protestë revoltë masive dhe historike që do t’i japë Edvin Kristaq Ramës dhe të gjithë organizatës kriminale të Rilindjes atë çfarë i takon”, deklaroi ish- deputeti Balliu para mediave.
Teksa mazhoranca pritet të ndezë të shtunën motorët e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, aleatët e Lulzim Bashës nga Shkodra ripërsëritën qëndrimin se në 30 Qershor nuk do të ketë garë elektorale pa opozitën.
Vangjel Dule: Duhet të jemi të gjithë, si sot, më shumë nesër, me qëllim jo vetëm të mos realizohen zgjedhje në 30 Qershor, por kur të realizohen ato në vjeshtë, zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje për pushtetin vendor, pasi të jetë ngritur një qeveri tranzitore.
Dashamir Shehi: Ai zotëria po tenton me një parti, ne do t’i themi ‘nuk do të lejojmë’, kjo është e drejta jonë.
Fatmir Mediu: Prandaj kemi propozuar një sistem proporcional, kombëtar apo rajonal me lista të hapura. Do të ishte një zhvillim pozitiv për politikën dhe kthimin e kushtetutshmërisë në Kuvendin e Shqipërisë.
Agron Duka: E gjithë politika të dakordësohet të shkëputet nga krimi përfundimisht, dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet një qeverie kalimtare.
Nard Ndoka: Ju bëj thirrje që në 2 Qershor të jemi të gjithë së bashku për të protestuar, për të sensibilizuar.