Shtohen telashet për partinë e Presidentit. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor i kanë dhënë goditje të fortë LSI, pasi do të duhet të shkojë në zgjedhje jashtë koalicioneve.
Historikisht koalicionet kanë favorizuar partitë e dyta, të cilat më pas kanë përfituar nga tepsia e pushtetit. Por duket se presionet ndaj Bashës janë shtuar ndjeshëm dhe ai tani duhet të zgjedhë mes aleatëve tradicionalë dhe LSI. Pak kohë më parë ishte Fatmir Mediu që kërkonte që LSI të dalë me listë më vete dhe jo me PD, ndërsa dje shkelmin partisë së Metës ja ka dhënë Dashamir Shehi, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar.
Ai ka deklaruar se kapitulli i Ramës dhe Metës është mbyllur, tani duhet të vijë në pushtet Basha. Shehi ka shuar zërat se Meta do jetë kryeministër pas 25 prillit. “Të vësh Metën kundër Ramës është të vësh përballë dy të majta, ku është e djathta në Shqipëri, ku është opozita, ku është dhjetori i Shqipërisë, dëshira për ta rrëzuar të majtën.
Ne e kemi liderin tonë dhe e kemi goxha të mirë, një alternativë, se këta të tjerët janë provuar, Meta, Rama. Basha nuk ka qenë asnjëherë në postin e këtij njeriu, nuk them për të bërë eksperimente, por mendoj që Basha është personazhi më i pastër. Teoritë se në PD nuk është Basha, por Berisha apo në krye të opozitës është Meta është narrativë e Ramës”, tha Shehi.
Po ashtu ai u shpreh kategorik se LZHK nuk do bënte kurrë koalicion me LSI. “LZHK është më e djathta në koalicion, nga e majta shkohet në të djathtë, jo nga e djathta në të majtë. Ne do të shkojmë me PD-në. Kjo është fryma, për të hyrë me LSI nuk bëhet fjalë, LSI është një forcë e qendrës, por ka elektoratin e vet që shumica vjen nga e majta”, tha ai. Pra duket se aleatët e Bashës i kanë vënë shkelmin partisë së presidentit dhe sinjalet janë të qarta se PD dhe LSI do të hyjnë të ndara në zgjedhje.
Meta shkresa në Bruksel
Por më i sikletosuri duket se është presidenti, pasi përveç luftës që po bën në Tiranë duke kërcënuar Ramën dhe duke kërkuar pazare për të rrëzuar Kodin Zgjedhor, Meta po lobon fort dhe në Bruksel. Ai që e ka nxjerrë zbuluar ka qenë Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis.
Ky i fundit ka reaguar dje për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë që çështja e kufirit detar të zgjidhet në Hagë, ndërsa ka përmendur se në datën 8 tetor presidenti i ka dërguar një letër ku ankohet për Kodin Zgjedhor dhe miratimin e tij të njëanshëm nga Rama. “Shqipëria, me vendimin e Samitit marsin e kaluar, mori një status për hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Europian, me kusht që të përparonte në kriteret e vendosura nga Këshilli.
Raporti i Progresit mbi progresin e pranimit të Shqipërisë botuar në 6 tetor përmendi, ndër të tjera, nevojën për përparim më të madh në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të vendit dhe përfundimin e reformës në legjislacionin zgjedhor.
Një reformë për të cilën Presidenti shqiptar Ilir Meta më dërgoi një letër personale në 8 Tetor. Vendi ynë mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por sigurisht pret që vendi fqinj të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për t’u bërë një anëtar i plotë i familjes europiane për të mirën e popullit shqiptar”, shkruan Manolis Kefalogiannis.
Lobimet
Shkresat në Bruksel nuk janë diçka e re në politikën shqiptare. Dikur ishte PD që vetëm ankohej për çështjen e negociatave duke tentuar të mbyllë derën e integrimit. Letra që ka dërguar Meta nuk dihet, por sinjalet janë se dhe presidenti kërkon ndërhyrjen e BE, duke deklaruar se me thyerjen e paktit të 5 qershorit nuk duhet të ketë negociata.
Drafti i ri pa koalicione duket se fundos partitë e vogla. Por aleatët tradicionalë duket se do të hyjnë në listë me PD dhe presidenti tani është alarmuar. Për shkak të sulmeve ai e ka humbur besimin te ambasadorët dhe tani po ankohet drejtpërdrejt në Bruksel. /Kliti Topalli