Nga Anri Bala
Sali Berisha pas shpalljes “non grata”, ka ndërtuar një varkë shpëtimi për familjen e tij, që tashmë është mbytur nga zullumet dhe bëmat dhe pritet vetëm sopata “pas qafe” e ligjit për t’i hequr tmerrin pafund rapsodit plak, që thurë bejte çdo ditë për pastërtinë e tij dhe llumin e kundërshtarëve të tij, që nga Amerika e deri në… Hënë.
Mirë ky, që ka vuajtur nga deliri i madhështisë e tani e ka kapur tmerri i drejtësisë, por kur shikon turmën e qorrave dhe horrave, maskarenjëve dhe mytyberëve, injorantëve dhe derbederëve të politikës shqiptare… thua me vete, ky është vërtet lule para tyre dhe pa dëshirë ndjehesh keq e pyet: “Si kemi arritur deri këtu sa sharlatanizmi, mediokriteti, paftyrësia madje dhe zhvatja e hajdutëria, të na grupojnë si banor stallash për t’i blegëritur nëpër salla?!
Këtë ndjesi ma forcoi më tepër një foto që më doli para e Opozitës së Bashkuar, ku opozitarët e “fuqishëm” ishin mbledhur si dikur me Lulziun, edhe një herë tani, mos më keq… në varkën e piratit antiamerikan Sali Berisha, për të unifikuar ëndrrën e tyre… largimin e Edi Ramës.
Kjo çetë pa fe, pa atdhe, pa ide, pa program, pa parti, pa simbol dhe flamur është vërtetë qesharake, por më shumë një produkt hibrid politik i paparë në llojn e tij, si bashkimi i turmës së djajve me engjëjt për tu falur bashkë në kishë.
Si është e mundur që çamët t’i lejojnë drejtuesit që votojnë, që në emër të opozitarizmit qorr dhe pa drejtim të bashkohen me partinë e Dules, që ka një qëllim të caktuar, si një maskë e zezë e përfaqësuesve të Megaloidhes dhe një grupim antishqiptarësh i sponsorizuar nga qarqet ultra nacionaliste greke të Agimit të Artë?
Bandat nacionaliste greke i kanë vendosur në llogore “topat” e luftës për anëtarin e Mavit, Beleri, miku i drejtuesve të organizatës terroriste “Krisi Avgis”, që doli e jashtëligjshme nga drejtësia dha aty do qëndrojnë, deri kur Shqipëria t’ua fus në gojë “topet” e tyre me ligj dhe kanun.
Çfarë presin çamët nga idrizët me shokë, të shpëtojnë Belerin dhe të duartrokasin rroftë partia, kur askush nuk proteston por hesht e pret… asgjën?!
Ndaj nuk ka nevojë për komente, sepse kjo ishte një mundësi e artë që të përdorej fuqishëm nga partia Çame për të ngritur zërin, edhe një herë më shumë në organet e drejtësisë ndërkombëtare, por edhe në ato shqiptare, për të çuar protestën çame në KE, për borxhet dhe gjithë krimet e shtetit grek, deri te heqja urgjentisht e ligjit të luftës.
Deklarimi i Idrizit, se jam me Ramën për çështjen Beleri, është një tallje me elektoratin por edhe me shqiptarët, kur ky politikan i politikave “kap ç’të kapësh”, bashkë me partinë e tij ka 10 vjet që është ulur në prehërin e Berishës në Aleancën Bashkë… humbim, që kandidoi Belerin.
Pra, nuk vlen të qenurit me Ramën për çështjen Beleri, por me çamët e harruar dhe të poshtëruar nga këto puthje me ca grekë, që i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë dëme shqiptarëve dhe Shqipërisë, bashkë me aleancën anti-amerikane Sali-Ilir.
Bashkëpunimi me grupime antishqiptare për të fituar një bashki dhe për të ushqyer idetë se Himara është greke, duke rënë pre e intrigave të Berishës dhe bashkëpunimi me këto grupime maskarenjsh politik, është një fyerje e madhe për gjithë këtë pjesë të masakruar të kombit.
Varka që ka ndërtuar Berisha nuk është varka e Noes, por ajo e Baldassare Cossa, që nuk mund ta përsërisë historinë që piratët e pushtetit të bëhen “Pap” dhe nuk të çon askund.
Kjo është pjesë e komedisë tragjike të politikës shqiptare, ku njerëz ordiner pa asnjë vlerë të fyejnë inteligjencën edhe nëse debaton për tema si, fluturon zogu dhe me injorancën dhe analfabetizmin e tyre janë bërë “profesora”, me vulë e pa vulë në politikë.
Bashkimet e tyre nuk kanë lidhje me politikbërjen në emër të atyre që i kanë votuar, por janë “shtërngim radhësh” mes bandave të frikësuara e të zhytura në kaotizmin e ideve politike me qëllim realizimin e ëndrrës së tyre, rikthimin në karrigen prej floriri… në pushtet./Ekskluzive.al