Avokati i njohur Spartak Ngjela përmes një postimi ka komentuar zgjedhjet presidenciale në Kosovë, si dhe fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai rreshton sfidat kombëtare të kryeministrit Albin Kurti, ku më kryesorja është goditja drastike e korrupsionit mesjetar në Kosovë.
Ngjela shkruan:
“Albin Kurti fitoi dje zgjedhjet në Kosovë.
Mendohet se, bashkë me Vjosa Osmanin, ky do të jetë binomi antikorrupsion.
Po të jetë kështu, binomi Kurti-osmani, do të jetë një hap cilësor për të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe sidomos në Shqipëri.
Atëherë:
Cilat duhet të jenë sfidat kombëtare të kryeministrit Albin Kurti?
Këto janë më thelbësoret:
Varrosja përfundimisht e konceptit të lëshimit të territorit shqiptar.
Goditje drastike korrupsionit mesjetar në Kosovë.
Goditje drastike neoosmsnizmit të Erdoganit në Kosovë; që të reflektojë edhe në Shqipërinë aktuale.
Të ngrihet në vendin e duhur personaliteti i fituesit në negociatat me Serbinë.
Dokument i veçantë politik për bashkëpunimin politiko-juridik Shqipëri-Kosovë dhe lansimi faktik i historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, si botë reale dhe më e vjetra në Ballkanin Perëndimor.
Doktrinë për integrimi panshqiptar në Ballkanin Perëndimor.
Kërkesa ndaj Serbisë, me faturë perfekte, të të gjitha dëmeve që kanë shkaktuar hordhitë barbare të Milosheviçit: vrasjet masive dhe shkatërrimin e mijra shtëpive në Kosovë; por edhe dëmet e tjera që kanë të bëjnë me fitimin e munguar dhe dëmtimin psikik të një populli të tërë.
Fatura e dëmeve të genocidit serb, e kërkuar botërisht, do të jetë ngritje reale e dinjitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, dhe do të përbëjë një goditje reale kundër korrupsionit dhe shitjes së interesit kombëtar që ka ndodhur në Kosovë, sidomos në këta dhjetë vjetët e fundit; por, edhe në Shqipëri në periudhën 1992-2019.
I uroj sukses qeverisë së përbashkët, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, nëse ajo do të formulohet kështu.”