Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe bashkëshortja e tij, Rita Knudsten Augestad, me zëvendëspresidenten e SHBA-së Kamala Harris dhe bashkëshortin e saj Douglas Emhoff, në Forumin e Paqes në Paris, 12 nëntor 2021
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë ndonjëherë adhurues të mëdhenj të Albin Kurtit. Pastaj ai u bë kryeministër i Kosovës.
Nga Xhorxhina Bami, Përparim Isufi
Debati që parapriu mungesën e Kosovës në listën fillestare të të ftuarve në samitin e demokracisë, që do të organizohet nga SHBA muajin që vjen, shkaktoi kritika dhe shqetësim rreth ecurisë së marrëdhënieve mes shtetit më të ri të Evropës dhe një prej aleatëve më të mëdhenj të huaj me rikthimin në pushtet të kryeministrit Albin Kurti në Mars.
Rreth 100 shtete priten që të marrin pjesë në Samitin për Demokraci, me 9-19 dhjetor, një iniciativë e administratës të Joe Biden që të inkurajojë “ripërtëritjen demokratike dhe nëpërmjet veprimeve kolektive të trajtojë kërcënimet më të mëdha me të cilat ballafaqohen demokracitë sot”.
Fillimisht Kosova nuk ishte përfshirë në këtë listë, gjë që, për një shtet që perceptohet si një nga aleatët më të afërt të SHBA-së në botë, tregonte shumë.
Gjithsesi, të hënën, më 15 nëntor, zyra e presidentes Vjosa Osmani publikoi ftesën e vonuar.
“Ne e njohim dhe e vlerësojmë partneritetin tuaj në punën për të ndërtuar një shoqëri demokratike dhe respektuese të të drejtave të njeriut, që lejon lulëzimin e të gjithë qytetarëve” shkruhet në ftesë.
Vonesa e kësaj ftese prapëseprapë konsiderohet nga ekspertët si një sinjal i pakënaqësisë së SHBA me disa politika të cilat i ndjek qeveria e dytë e Kurtit.
Ish i burgosuri politik, 46 vjeçari Kurti, ndërtoi një lëvizje të rrugës kundër establishmentit, në fillim të vitete 2000, e cila kishte kritika të ashpra ndaj mbikëqyrjes së Kosovës pas luftës në 1998-99, dhe ndaj përpjekjeve të udhëhequra nga Perëndimi për të gjetur një zgjidhje për statusin përfundimtar të Kosovës nëpërmjet negociatave me Serbinë.
“Është një sinjal diplomatik që i është dërguar institucioneve të Kosovës që ta rishqyrtojnë sidomos politikën e jashtme dhe të sigurisë” thotë politologu Dritëro Arifi.
“Kosova deklarativisht shprehet që është pro iniciativave të SHBA”, tha ai për BIRN. “Por në praktikë po shihet që ka pasur ngecie apo mos koordinim të disa çështjeve dhe interesave të politikës së jashtme dhe sigurisë që ndërlidhen dhe me interesat e SHBA.”
Lëvizje e rrugës me skepticizëm ndaj Perëndimit
Në fillim të vitit 2021, Kurti e drejtoi partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, drejt një fitoreje dërrmuese të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Kjo fitore erdhi rreth 15 vjet pasi Kurti e themeloi VV-në si lëvizje të rrugës që kanalizoi zhgënjimin e popullit ndaj ngërçit politik në të cilin e gjeti veten Kosova nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.
Lëvizja Vetëvendosje shtyu në mënyrë të ashpër që Kosova të vendoste vetë për fajin e saj në vend që të pranonte çfarëdo lloj marrëveshjeje me Beogradin, të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht.
Kosova e deklaroi pavarësinë në vitin 2008, pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë dhe aleatit të saj, Rusisë.
SHBA, që drejtoi bombardimin 11 javor të NATO-s në 1999 për të larguar forcat Serbe, të akuzuara për masakra dhe spastrim etnik gjatë luftës kundër kryengritjes, ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës me popullsi prej 1.8 milionë banorësh, kryesisht shqiptarë.
Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të jenë fort pro-Amerikanë edhe sot e kësaj dite, por Kurti konsiderohet nga disa si skeptik ndaj politikave Perëndimore.
Opozita e kapi mungesën e ftesës për samitin e SHBA-së si shenjë se si Kosova ka humbur rrugën, nën qeverinë Kurti dhe partneren e tij në politikë, presidenten Vjosa Osmani.
“Që nga deklarata e pavarësisë, Kosova kurrë nuk ka qenë më e izoluar në arenën ndërkombëtare se tani, ose më saktësisht, që nga ardhja në krye e Kurtit dhe Osmanit” ish ministri i punëve të jashtme Skënder Hyseni, pjesë e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, që mori pjesë në negociatat me Serbinë para pavarësisë së 2008-s.
“Klounë që duan të jenë të dhunshëm”
Mund të argumentohet që rritja e VV-së i atribuohet gatishmërisë për të kundërshtuar mbështetësit Perëndimorë të Kosovës.
“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje filluan angazhimin e tyre politik duke kërkuar që vendimet e mëdha të popullit të Kosovës të burojnë nga vullneti i saj,” shpjegon Drilon Gashi, një ekspert shqiptaro-amerikan i zhvillimit ndërkombëtar. “Kjo e bëri VV-në kritike ndaj qasjes së pranisë ndërkombëtare”.
“Më pas, ajo u shndërrua në parti që kërkon të jetë partnere për reformë të SHBA-së dhe shteteve përkrahëse të Kosovës”, shtoi ai.
Pas më shumë se një dekade në opozitë, Kurti e mori pushtetin, shkurtimisht, në vitin 2020, kur habiti shumëkënd me kundërshtimin ndaj përpjekjeve të SHBA, nën administratën e Presidentit Donald Trump, për të gdhendur rrugën e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë, të drejtuara nga SHBA paralelisht me ndërmjetësimin afatgjatë nga Bashkimi Evropian.
SHBA-ja ishte tashmë skeptike ndaj Kurtit që nga ditët e tij në opozitë.
Kurti “nuk ka pasur raporte shumë të mira me SHBA”, thotë Arifi, duke përmendur botëkuptimet e tij “të majta” dhe konsiderimin e Perëndimit si “botë shfrytëzuese, kapitaliste”.
Në qershor të vitit 2013, kur ligjbërësit e Kosovës po diskutonin një marrëveshje me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE, protestuesit e VV-së bllokuan dyert e parlamentit.
Ambasadorja e atëhershme e SHBA në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, pësoi gërvishtje në dorë, tek sa mundohej të hynte në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Disa javë më vonë, një deklaratë e Zëvendës Ndihmës Sekretari i shtetit të SHBA Philip Reeker bëri bujë: “Klounët që duan të jenë të dhunshëm duhet të mendojnë dy herë rreth veprimeve të tyre për të ardhmen e vendit të tyre”.
Uashingtoni “nxiti” për rrëzimin e qeverisë Kurti 1
Në Kosovë qarkullojnë spekulime që administrata Trump qëndronte pas rënies së qeverisë të parë të Kurtit, kur VV bashkëqeverisi me LDK-në, deri kur kjo e fundit u bashkua me të tjerët në parlament për të projektuar një mocion mosbesimi.
Thuhet që Uashingtoni ishte i nevrikosur me përgjigjen e vakët të Kurtit ndaj shtytjes së SHBA për marrëveshje ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Ka pasur një shtytje nga SHBA për ta rrëzuar qeverinë Kurti 1 për të shtyrë përpara marrëveshjen e Uashingtonit” thotë Arifi, duke ju referuar marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia nënshkruan me SHBA-në në shtator të vitit 2020, të cilën Trump e brohoriti si triumf i politikës së jashtme para fushatës së dështuar për rizgjedhjen e tij si president i SHBA-së dy muaj më vonë.
Arsyeja kryesore, sipas Arifit, ishte se Kurti “ka kundërshtuar kategorikisht që të bashkëpunojë me SHBA për dialogun me Serbinë”.
Philip Kosnett, në një intervistë me BIRN në shtator, në fund të mandatit të tij tre vjeçar si ambasador i SHBA në Kosovë pranoi se “mosmarrëveshjet në disa çështje të politikave” mes SHBA dhe qeverisë të parë të Kurtit luajtën një rol “në prishjen e koalicionit mes LDK dhe Vetëvendosjes”.
Në një vizitë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë javën e kaluar, ish emisari i Trumpit në Ballkan, Richard Grenell, i refuzoi pretendimet që ai kishte ndërhyrë drejtpërdrejt në fatin e qeverisë të parë të Kurtit.
“Ajo që ia bëra të qartë liderëve të Kosovës ishte politika Amerikane, që tarifa 100 për qind (kundër produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnia) ishte një ide e keqe dhe Amerika nuk do të investonte nën administratën Trump në politika dhe programe … kur qeveria e Kosovës po nënvlerësonte këto programe me tarifa” tha Grenell, duke mohuar që ai kishte “sugjeruar ndonjëherë vendime politike”.
Qeveria e atëhershme e Kurtit e kishte hequr tarifën 100 për qind, të vendosur nga paraardhësi i tij si kryeministër, por të ashtuquajturat masa të reciprocitetit kundër Serbisë kishin mbetur.
Kurti e ka mbrojtur gatishmërinë e tij për t’u përballur me Grenell-in, duke thënë madje në një intervistë në KTV në shtator të këtij viti që “për mua… Grenell është i Amerikës, por Amerika nuk është emisari Grenell”.
“Nëse nuk guxon të mos pajtohesh me asnjë zyrtar në asnjë rrethanë, atëherë ky nuk është partneritet dhe aleancë”, tha Kurti.
Arifi, megjithatë, thotë që ky është pikërisht lloji i gjuhës sfiduese që një kryeministër duhet ta shmangë.
Perceptim i “papjekurisë institucionale”
Kurti e kishte mbështetur publikisht Biden-in kundër Trump-it në zgjedhjet e SHBA-së dhe ka marrë disa hapa për të përmirësuar marrëdhënien e tij me Uashingtonin që kur Biden fitoi Shtëpinë e Bardhë.
Por që nga ardhja në krye të qeverisë të Kosovës, Kurti ka qenë i limituar në kontaktet me takime me diplomatë të SHBA apo zyrtarë të Departamentit të Shtetit që e kanë vizituar Kosovën gjatë muajve të fundit.
Takimi i nivelit më të lartë me administratën Biden për Kurtin erdhi javën e kaluar kur, në një darkë solemne të organizuar nga presidenti i Francës Emanuel Macron, ai u takua me zëvendës presidenten e SHBA Kamala Harris, gjë për të cilën postoi edhe një selfie.
Atë javë, presidentja e Kosovës Osmani ishte në një vizitë zyrtare në SHBA kur, më 10 nëntor, u takua me ndihmës sekretaren e shtetit të SHBA Karen Donfried dhe zëvendës sekretarin e shtetit Derech Hogan – dhe u zotua për angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë.
Në tetor, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, vizitoi SHBA-në dhe tha që Kosova është e gatshme të ofrojë një bazë ushtarake të përhershme për SHBA, për “avancimin e partneritetit të përhershëm … [dhe] kontributin për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit”.
Zëdhënësi i qeverisë të Kosovës Përparim Kryeziu tha për BIRN që në nëntor “Kurti gjithashtu do të udhëtojë për në SHBA së shpejti” duke shtuar që “vizita po planifikohet”.
Por Gashi thotë që, me Vetëvendosjen në pushtet dhe Osmanin në presidencë, VV ende “po kërkon [ndaj SHBA] që të ndryshojë qasjen krahasuar me partitë e mëparshme, sidomos për angazhime si dialogu me Serbinë”.
Pra me pak fjalë, sipas Gashit, “marrëdhëniet Kosovë-SHBA vazhdojnë të jenë shumë të mira dhe do të intensifikohen më tutje”.
Ai parashikon që Kurti do të mirëpritet nga sekretari i shtetit të SHBA-së Antony Blinken dhe me shumë mundësi nga këshilltari për siguri kombëtare i Biden, Jake Sullivan.
Arifi thotë që gjuha dhe qasja e Kurtit kanë ndryshuar në mes të mandatit të parë dhe këtij të dytit, por që qeveria prapëseprapë ka vështirësi me gjuhën diplomatike për shkak të asaj që ai e quan “papjekuri institucionale”.
Ai identifikon tri pika kryesore të përplasjes me aleatët: pezullimi nga qeveria e Kosovës e infrastrukturës së gazit të financuar kryesisht nga agjencia e SHBA për ndihmën e vendeve të huaja, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit; dështimi i Kosovës për të implementuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit Ortodoks të Deçanit; dhe mungesa e përparimit në themelimin e asociacionit të komunave me shumicë Serbe.
“Kosova është vend aq i brishtë dhe i vogël sa që nuk mund të bëjë politika të mëdha,” thotë Arifi. “Duhet të jemi më bashkëpunues.”