Vitin e kaluar ekskluzive.al, denoncoi një rast abuziv të një prej rrjetit të marketeve më të njohura në vend si “Conad”, i cili në periudhën të nxehtë të vitit, u shiste konsumatorëve djath të skaduar. Por edhe pas denoncimit, asnjë prej institucioneve ligjzbatuese nuk e vuri “ujin në zjarr”
Sot, me të njëjtën përgjegjësi që kemi për lexuesin tonë, po sjellim në kujtesën tuaj një tjetër fakt, ku abuzimet me klientët nga ky market, jo vetëm që janë sistematike, por me sa duket përgjegjësia për shëndetin e konsumatorëve është nën nivelin zero, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre e sidomos më të vegjëlve, që sistemin imunitar e kanë edhe më të brishtë.
Përtej thashethemeve, se vetëm një pikë “Conad” brenda një qendre biznesi në Tiranë tregton produkte origjinale italiane, duke gjykuar nga produktet e tyre, pikat e tjera jo vetëm që janë më të lira por dhe me cilësi skandaloze, ndërsa një pjesë e madhe e produkteve janë të vendit.
Në qershor të vitit të kaluar, pas një fotografie mbërritur në redaksinë tonë, denoncuam rastin ku një djath, që nuk kushtonte aspak lirë, shitej i skaduar. Ndërsa një tjetër denoncim është bërë dhe nga eksperti ekonomist Ilir Ciko, i cili shkruan në statusin e tij në Facebook:
Po nga Conad, kush na mbron?
Gjatë kësaj jave bëri plot bujë mediatike bllokimi nga autoritetet i një sasie bananesh, që sipas lajmeve ishin të kalbura dhe të dëmshme për konsumatorin. Mirë bananet, po nga dyqanet që tregtojnë mbeturina në qendër të Tiranës, kush na mbron? Ja një rast nga Conad, këtë herë nuk po e nxjerr se etiketa përmban çmimin që është sa dyfishi i etiketës së produktit në Itali, këtë gjë Conad e bën thuajse hapur për shumë produkte, tashmë jemi mësuar që në Shqipëri duhet të paguajmë dyfishin e Italisë dhe njerëzit nuk është se kanë shumë zgjedhje ndaj vazhdojnë të pranojnë të paguajnë.
Shqetësimi këtë herë është shumë më i rëndë. Bleva nje kuti me kërpudha, që më duheshin për një gatim. Kur i hapa në shtëpi, vura re se cilësia nuk ishte fort e pranueshme ndaj lexova etiketën në shqip, e cila si edhe për shumë produkte ushqimore të Conad-it kishte DATEN E PAKETIMIT (28 janar në këtë rast) dhe datën TE KONSUMOHET DERI ME (4 shkurt në këtë rast). Provova të heq etiketën shqip dhe nën të lexohej çmimi i shitjes në Itali (natyrisht dy herë më lirë) dhe pjesa ku jepej data e skadencës në italisht, ishte HEQUR.
U riktheva në dyqanin e Conad dhe pashë disa nga paketimet e tjera të kërpudhave. Te gjitha njësoj. Nën etiketën shqip, etiketa në italisht ishte e gërvishtur me kujdes vetëm në pjesën e datës së skadimit, e cila s’mund të lexohej më.
Mendoj se kjo e mbush kupën. S’mjafton që paguajmë dyfish, por na servirin për këtë çmim edhe të fallsifikuara produktet e skaduara të Italisë? Që kjo nuk ndodh me një paketim por me shumë që pashë në dyqan më tregon se nuk është veprim i izoluar i një punonjësi të “pakujdesshëm”, por organizim abuzues e po aq i paligjshëm dhe i rrezikshëm për njerëzit, i të bërit biznes pikërisht në zemër të Tiranës.
Conad përdor marifete të njëjta edhe për produkte të tjera. Ato tavolinat e mbushura me copa djathërash të madhësive të ndryshme kanë të njëjtën etiketë me DATE PAKETIMI/TE KONSUMOHET. Nën zë shumë miq të thonë mos blej nga ato produkte pasi merren nga rrota djathi të skaduara apo në prag skadimi dhe të prera në copa, u vendoset një etiketë në shqip me datë skadimi të mëvonëshme. Dhe në to nuk ka asnjë datë skadimi të vendosur nga prodhuesi që mban përgjegjësi. C’është kjo DATE PAKETIMI që Conad shpik si i ka qejfi në Shqipëri? A ka njeri a institucion në këtë vend që veç bananeve t’i thotë ndal edhe abuzuesve të tillë që nuk po ngurrojnë të bëjnë çdo gjë, për të cilat në Itali do ishin me kohë prapa hekurave?