Reforma në drejtësi është në qendër të debatit politik ditët e fundit, si pasojë e një deklaratë të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila foli për një komplot për të goditur këtë reformë. Deklarata e saj ka sjellë reagime të shumta tek politikanët, por edhe tek analistët, të cilët e analizojnë debatin në këndvështrime të ndryshme.
Sakaq analisti Frrok Çupi ka zbardhur skenarin e fshehtë të presidentit Ilir Meta, që sipas tij tenton minimin e kësaj reformë. Ndërkohë që PS, PD, LSI dhe Meta nuk pranojnë fajin për një komplot, Çupi shprehet se opozita dhe presidenti janë kthyer në një bllok kundër reformës në drejtësi. Ndër të tjera, analisti Çupi ka theksuar se presidenti Meta, i cili mohon të ketë gisht në komplotin e përfolur, po tenton ngritjen e një byroje ekstra për të penguar vijimin e reformës.
“Politika po bën gjithçka për të kontrolluar drejtësinë, politika në rastin e presidentit po kërkon të kontrollojë edhe Amerikën për drejtësinë. Ne sot mund të themi se kemi një fluks anti-amerikan. Është rasti i vetëm mesa njoh në raport me qytetërimin perëndimor kur opozita bëhet bllok kundër reformës në drejtësi, përfshirë presidentin. Presidenti po tenton të ndërtojë një byro ekstra politike për të penguar reformën në drejtësi dhe kjo nuk do të ndodhë, por mjafton të fitojë kohë.
Ne jemi një shtet që do ndërtojë të njëjtën drejtësi si ajo Aamerikane se ndryshe shteti nuk do të jetë as europian as amerikan”, u shpreh Çupi. Më tej, gjatë një interviste televizive, analisti Frrok Çupi, ka deklaruar se e shumëpërfolura reformë në drejtësi, tanimë është në fazën e fundit të saj. Sipas tij, kjo është arsyeja se pse reforma ka ngjallur një reagim kaq të fortë të ambasadores amerikane Yuri Kim. Ai thekson se reforma në drejtësi është një dramë e nisur tashmë prej 4 vitesh.
“Ky është akti i fundit i një drame që po zhvillohet prej 4 vjetësh. Detektorët e Perëndimit kanë perceptuar që Shqipëria është kombi i vetëm që vuan nga çështja e padrejtësisë. Ka ardhur momenti që kjo të marrë fund”, u shpreh analisti Frrok Çupi.