Lulzim Basha ka deklaruar në ABC përballë gazetares Jonida Shehu se që një kryetar të japë dorëheqjen duhet të humbë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë pikë Basha deklaroi se zgjedhjet nga të cilat PD mbeti në opozitë nuk kanë qenë në kushtet e barazisë. Ai u shpreh se një kryetar që ka dhënë dorëheqjen nuk duhet të futet më në garë për postin e kreut të partisë, ndërsa shtoi se dorëheqja në kushtet ku është ai sot, do kishte qenë akt burracak.
“Jam i bindur që një kryetar që jep dorëheqjen nuk duhet të garojë më. Sepse kur jep dorëheqjen nuk është një fjalë goje. Kthimi prapë është akt mashtrimi publik. Dorëheqje pa kthim po. Statutin nuk e vendos unë por Kuvendi. Kuvendi ka vendosur që kjo të mos jetë në statut. Mendimi im është ky. Një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme duhet të humbë një kryetar që të duhet të japë dorëheqjen.
Nëse ka zgjedhje të lira dhe të ndershme apo nëse je vetë në qeveri dhe i humb ato zgjedhje pa diskutim duhet të japësh dorëheqjen. Zgjedhjet nuk i jep tregu, lagja, të rinjtë që largohen nga vendi, dëshpërimi, kriza ekonomike.
Kur në raportin e ODHIR thuhet se shteti nuk garanton lirinë e votës a mund të flasim për zgjedhje të lira. Është drama për të cilën sot po paguajnë faturën familjet shqiptare. Me këtë përgjegjësi po ju them sot se nëse nuk do kisha konstatuar masakrën zgjedhore, vendimi im do ishte dorëheqja, Në kushtet ku jemi ne dorëheqja do ishte akt burracak”, – deklaroi Lulzim Basha.
Kreu i PD theksoi se denoncimet e tij ndaj Suel Çelës datojnë që nga viti 2015 e deri në zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas tij ai bashkë me elementë të tjerë në Elbasan janë ekzekutorë të masakrës zgjedhore. Basha u shpreh se këta elementë janë përfshirë deri në pengmarrjen e krerëve të grup seksioneve të PD në Elbasan për të ushtruar presion ndaj tyre.
“Denoncimet e mia ndaj Suel Çelës datojnë që nga viti 2015. Kam thënë që kurrë nuk mund ta besoj. Suel Çelën e kam përmendur që nga 2015 deri te presionet para 25 prillit. Këta janë ushtarët e Edi Ramës. Janë autorë dhe ekzekutorë të masakrës zgjedhore.
Kam thënë që është në nderin e Berishës të distancohet tani që faktet janë bërë publike. Që demokratët, që gjithë Elbasani e ka marrë vesh. Janë përfshirë në marrjen peng deri në krerët e grup seksioneve në kullën e tij te tregu”, – u shpreh kreu i PD.