Në një intervistë të dhënë për Lexo.al, aktorja korçare Zamira Kita mbështet ndërtimin e një teatri të ri kombëtar në Tiranë, në vend të godinës aktuale që sipas saj është plotësisht e amortizuar, jo funksionale dhe e padenjë për artistët.
Ndryshe nga një pjesë e artistëve që pretendojnë se godina e teatrit përfaqëson trashëgiminë kulturore, Kita thotë se kjo trashëgimi dhe kujtesa historike nuk lidhen me godinën, por me shfaqjet dhe emrat e aktorëve që kanë luajtur aty brenda. Për këta sipas saj, duhet të ketë një muzeum të posaçëm në Teatrin e Ri.
“Godina nuk ka asnjë vlerë. Ka vlerë që objekte, sende, garderoba e aktorëve që kanë luajtur në atë skenë, të ruhen dhe aty brenda në atë teatër të ri që do të ndërtohet, të jetë një muzeum i vizitueshëm nga të gjithë”, tha Kita.
Në këtë intervistë për çështjen më të debatuar të këtyre ditëve, aktorja theksoi se një pjesë e kolegëve të saj po bëjnë një luftë “artistike-politike” teksa segmente politike po e shfrytëzojnë politikisht debatin.
“Unë mendoj që debati është shfrytëzuar keq nga segmente politike, sa mendoj që edhe disa nga kolegët e mi, me keqardhje e them këtë, e kanë edhe luftë në thonjëza artistike-politike. Nuk më vjen mirë që segmente të caktuara politike bëhen krah, janë bashkë me kolegët e mi dhe dalin shumë më fort se ata për teatrin kur nuk kanë asnjë kontribut dhe kur nuk kanë asnjë vlerë ta thonë mendimin e tyre”, tha Kita për lexo.al.
Intervista e plotë:
-Znj. Kita, cili është qëndrimi juaj si artiste lidhur me çështjen e Teatrit të ri Kombëtar. A mendoni që duhet shembur teatri aktual për të ndërtuar një të ri me standarde moderne?
Kita: Duke patur përvojën e teatrit të Korçës mendoj që duhet ndërtuar një teatër i ri nga themelet. Sigurisht që jam e kënaqur me rikonstruksionin që i është bërë teatrit të Korçës për shkak të pozicionit që ai kishte, të hapësirës që kishte, të gjithë rikonstruksionit që iu bë, por Teatri kombëtar duke qënë se unë kam qënë pjesë e disa shfaqjeve atje, e di që ka një amortizim të plotë, nuk është aspak i përshtatshëm për të dhënë shfaqje, nuk është funksional dhe komod pavarësisht se disa nga kolegët e mi thonë që ama shfaqje vazhdojnë të bëhen atje. Shfaqje do të vazhdojnë të bëhen nëse ne do vazhdojmë ta lëmë në atë gjendje, edhe duke pikuar shiu brenda. Edhe duke rënë ndonjë pjesë e murit a suvasë, ne do vazhdojmë sepse artistët duan të bëjnë shfaqje dhe publiku do shfaqje. Por ne nuk jemi në këtë stad tani për të menduar që të bëjmë shfaqje në një teatër me gjendje të tillë, apo një rikonstruksion që mund të bëhet i plotë apo i pjesshëm që për mendimin tim nuk ia vlen. Unë jam për një teatër të ri. Pse jo për një projekt si ai që kemi parë, një projekt modern që të na mundësojë shumë ambiente në funksion të teatrit brenda, siç kemi parë nëpër botë.
Pse nuk ia vlen të rikonstruktohet teatri aktual? Pse të mos rikonstruktohet në vend që ai të shembet për një teatër të ri ?
Kita: Do ndërtohet një teatër modern, shumë i mirë që do të ketë edhe ambjente të tjera shtesë, sado ta rikontruktojmë aktualin nuk besoj se do bëhet një sallë e mirë, e përshtatshme. Ambientet e kabinave brenda aktualit, nuk e kuptoj si mund të përshtaten që të ketë edhe dushe, që aktorët të kenë gjithçka në funksion, të këtë salla më të vogla ku të bëhen provat, ashtu si i ka e gjithë bota. Ne një teatër rikonstruktuam në Korçë dhe sajuam diçka në ambiente të vogla dhe në garazhe të vjetra bëmë teatrin e kukullave. Pra e rindërtuam teatrin e kukullave. Kështu që në një teatër të ri do ketë shumë më shumë mundësi për ambiente, në funksion të aktorëve.
Si e shihni ju argumentin e disa kolegëve tuaj që thonë se teatri nuk mund të shembet përderisa është një objekt me vlerë i trashëgimisë kulturore dhe kujtesës historike?
Kita: Sigurisht që ajo është një kujtesë historike dhe ka vlerë në trashëgiminë kulturore, por kjo lidhet me atë çfarë është luajtur atje dhe me emrat që kanë luajtur atje, por jo me godinën. Çka kam dëgjuar unë nga specialistët, godina nuk përbën vlerën. Ajo nuk ka vlerë të trashëgimisë sonë e as të arkitekturës, të paktën me sa kam dëgjuar unë nga specialistët se unë nuk jam specialiste e arkitekturës dhe nuk e besoj që ajo godinë do të ketë vlerë. Ka vlerë që objekte, sende, garderoba, e aktorëve që kanë luajtur në atë skenë, të ruhen dhe aty brenda në atë teatër të ri të jetë një muzeum i vizitueshëm nga të gjithë. Atje sigurisht vjen publiku më sheh mua, por kur vjen nuk kujton Violeta Manushin në atë moment, ndërsa kur hyn në një muzeum dhe të shohë rrobat që ajo ka veshur, fotografitë, e sjell të gjallë Violetën, Kadri Rroshin, Sulejman Pitarkën e gjithë plejadën që janë vlerë e trashëgimisë kulturore.
Mendoni që debati gjatë gjithë kësaj kohe është përdorur politikisht nga palë të caktuara?
Kita: Po, unë mendoj që debate është shfrytëzuar keq nga segmente politikë, sa mendoj që edhe disa nga kolegët e mi, me keqardhje e them këtë, e kanë edhe luftë në thonjëza artistike-politike. Sigurisht që një pjesë e mirë e artistëve kanë bindjet e tyre, kanë simpatitë e tyre, vihen në krah të një force politike për të kontribuar, në art apo në politikë, por kur vjen puna për të folur, nuk është mirë të flasim si militantë. Ta themi mendimin tonë, por jo të shpërthejmë si militantë, të bëhemi agresivë, të fyejmë kolegët tanë. Unë kam mendimin tim por nuk fyej asnjë nga kolegët e mi. Secili ka të drejtën e tij të plotë ta thojë fjalën e vetë, por nuk do lejoja që mendimin tim ta përdorte cilado forcë politike. Nuk më vjen mirë që segmente të caktuara politike bëhen krah, janë bashkë me kolegët e mi dhe dalin shumë më fort se ata për teatrin kur nuk kanë asnjë kontribut dhe kur nuk ka asnjë vlerë ta thonë mendimin e tyre.
Ju ishit pjesë e dëgjesës me ministren e Kulturës dhe kryebashkiakun e Tiranës. Mendoni që ky takim do të japë frytet e veta për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët?
Kita: Unë mendoj që do të ketë vlerë. Ne dëgjuam njëri tjetrin dhe kuptuam se kush nga ne e ka mendimin të sinqertë dhe unë them që do ta gjejnë gjuhën e përbashkët një pjesë e mirë e artistëve. Do ta gjejmë për të mirën e teatrit të publikut, të shfaqjeve tona, të Teatrit Kombëtar. Pastaj një pjesë që nuk do të ulen kurrë, që ndoshta do kenë kapriço a luftë të fortë, mendoj që nuk duhen marrë shumë për bazë dhe nuk duhen dëgjuar deri në fund. Por që këto takimet shumë mirë bëjnë sepse i japin gjithsecilit të drejtën ta thotë mendimin e tij ballë për ballë në sy të të gjithëve, pa patur frikën apo kompleksin se pse ta them këtë, se mos më mërzitet dikush. Atje secili e tha mendimin e tij dhe shumë mirë është që takimet të vazhdojnë deri në fund. Pastaj zgjidhja i takon atyre që janë më të përfshirë në kuptimin e specialistëve, të njerëzve që kuptojnë më shumë nga arkitektura, nga historia, nga ndërtimi dhe pastaj mbi këto duhet të ndërtohet teatri i ri.