Gjatë rrëfimin në emisionin “Pas Mesnate”, artistja e madhe Justina Aliaj, nuk ka nguruar të jap një këshillë për brezin e ri, veçanërisht ata që merren me art. Ajo ka thënë se që të bësh përpara fillimisht duhet të njohësh vetveten, përndryshe nuk mundesh.
“Kur janë të vegjël, nuk e njohin veten, ashtu si unë. Më ka çuar instikti, të shkoj aty ku kam shkuar. Jo se e kam ditur që unë do jem kjo, apo do bëj këtë, apo do bëj atë. Thjesht me shku, me kënaq shpirtin tim, sepse ishte foleja ime, gjeta folenë, po kështu edhe fëmijët sot.
Por për mendimin tim me kushtet dhe hapësirat në të cilat ndodhen sot, prindërit fare mirë mund ta përftasë këtë dhe te fëmija mund të investojë kohë, mund, durim që ta nxjerr në dritë diçka, të bëjë diçka të bukur.
Artisti duhet të njoh vetveten, kur njeh vetveten je gjithmonë vetvetja, sepse ti ke arrit me mbledh në shpirtin tënd kush je, a mundesh, a s’mundesh. Nëse s’mundesh, kjo është të njohësh vetveten, nuk i hyj asaj rruge që unë nuk mund ta bëj. Nuk mundem. Duhet të njoh vetveten që të bëj përpara”, u shpreh Aliaj.
Më tej, artistja tregoi se në jetë nuk ka asgjë peng. Madje ka falenderuar Zotin dhe mjekët që është gjallë, pasi momentin kur u infektua me Covid-19 e kaloi në gjendje shumë të rëndë.
“Nuk kam asnjë peng. Faleminderit Zotit që jam gjallë, se për pak desh ika. Tani unë vetëm mendoj vetëm gjëra të bukura, nëse jeta na i dhuron, ne i mirëpresim.
Pata shumë vështirësi gjatë periudhës së Covid-it, i quaj heronj mjekët. Madje, i kam dedikuar dy këngë, atyre që më shpëtuan jetën, me Najada Çomon në krye”, tha ajo.
Si na prenë në besë
Festivali i 11-të në Radio Televizionin Shqiptar vijon të komentohet edhe pas kaq shumë vitesh. Kjo pasi ky festival u dënua nga udhëheqësi i asokohëshëm i Shqipërisë si një festival që përhapte kulturën borgjeze, në kundërshtim me parimet shtetërore. Si pasojë, shumë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit u dënuan me burgime të gjata.
Një ndër këngëtaret pjesëmarrëse ishte dhe shkodrania Justina Aliaj. E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ajo e ka konsideruar dramën më të madhe, pasi artistët i prenë në besë. Sipas Justinës, pas ushtrisë, ishte radha e festivalit të dënohej, ndonëse ai prodhonte vetëm gëzim te të gjithë.
“Festivali i 11-të ka qene drama më e madhe. E para, mendoj se u prem në besë. Këndoni, kënduam. Keni kënduar keq, dënoheni. Por, pse? Se isha 20-vjeç dhe çfarë helmi hodha. Se kjo ishte akuza, i hodhët helm spektatorit. Por unë mendoj që neve na kishte ardhur radha siç ishte ushtria, ashtu edhe ky event i madh. Ne gëzonim tre muaj përpara që po bëjmë festivalin, atë gjetën.
Ishte kënga ‘Në ekranin e televizorit’. Sa qejf kam ta di, nuk e gjej dot atë gazetaren që thoshte: ‘Këngëtarja seç e bën zërin’. Po mua ashtu më vinte dhe më thoshin që kjo është më e huaj”, tha Aliaj.
Justina është bërë nostalgjike dhe është shprehur shumë krenare që ka lindur në qytetin e Shkodrës. Madje, është kthyer pas në kohën kur dilte në rrugët e qytetit dhe haseshe vetëm me artista.
“Mendoj që është diçka që fatmirësisht lind, asgjë nuk mund të blehet. E kam fjalën për talentin, lind le të themi ne. Kështu që nuk e di se pse, por Shkodra është padiskutim një djep i artit. Fati i madh që unë jam lindur aty dhe me shumë talente të tjerë. Unë kur dilja rrugës e dija që do të përshendetesha me Prenk Jakovën, ndonëse ai nuk e kishte mendjen shumë se ai kompozonte dhe rrugës.
Ndalonte dhe kërkonte dhe letër e laps, shpejt ma jep. I bënte 5 pentagramet dhe e fiksonte atë që kishte brenda vetes. Shkodra ka gumzhitë nga talentet. Me thënë të drejtën, është një krenari legjetimi që unë jam pjesë e kësaj bërthame, e kësaj kryevepre që quhet Shkodër”, u shpreh Justina.
Më tej, ajo tregoi se talentin për muzikë i pari që ia zbuloi ishte Tonin Daija, vëllai i Tish Daijas.
“Ka qenë tamam shkollë në Pallatin e Pionerëve, pa e ditur që po bënim shkollë. Ishim çmendurisht të apasionuar pas artit të gjithë që shkonim atje. Ka qene një moment që isha duke bërë teatër, më pëlqente teatri me fëmijë, por do bënim një operetë të Tonin Harapit dhe tani Tonin Daija, vëllai i Tishit dhe thotë:
‘Po kjo është në rregull me teatrin, po a ka me dit me këndu’. Edhe kam bërë provë këngën ‘Bashkojuni o shokë’. Edhe kurrë se harroj, zotni Tonin që u kthye me firzamonikë te shokët e vetë dhe i thoshte ‘Këndoka bukur’. Isha vetëm 7 vjeç”, rrëfeu artistja.