Sulejman Pitarka është një personalitet i madh. Ky artist intelektual, falë aftësive të tij të jashtëzakonshme, ka realizuar në teatër dhe film si role tragjike-dramatike, ashtu edhe ato komike.
Ai përfaqëson në mënyrën më domethënëse tipin e aktorit të karaktereve të forta, me profil të veçantë, qoftë në dramë, qoftë në komedi. Natyrshmëria, sinqeriteti dhe shprehimësia e lartë kanë qenë cilësitë e tij kryesore në fushën e interpretimit aktorial.
Pitarka është edhe dramaturg. Do të mjaftonte vetëm “Familja e peshkatarit”, një dramë që mbijetoi gjatë në skenat tona.
I lindur në Dibër më 2 shkurt të vitit 1924, Sulejman Pitarka kishte nisur në fillim karrierën e njeriut të ekonomisë.
Por një zbulim i vetvetishëm, siç ka ndodhur gjithmonë me jetën e njerëzve të destinuar nga fati për t’u bërë artistë të mëdhenj, e bëri atë të trokiste atë në dyert e Teatrit Popullor në vitin 1951.
Në atë vit, do të spikaste me rolin e Hysen Agës, te komedia e Besim Levonjës “Prefekti” dhe me Halilin e dramës së Kolë Jakovës “Halili dhe Hajria”.
Një vit më vonë do të linte mbresa të veçanta me interpretimin e personazhit të Ljapkin Tjopkinit, në komedinë e famshme të Gofolit “Revizori”.
Në vitet 1953, 1959 dhe 1960, Pitarka realizoi me një kolorit krejt vetjak tri role nga dramaturgjia e Shekspirit: Otellon në veprën homonime, Pejxhin tek “Gratë gazmore” të Uindsorit dhe Gildesternin te “Hamleti”.
Në vitet 1963-64 Pitarka do të arrinte suksese me profesorin e filozofisë te komedia “Borgjezi fisnik” të Molierit dhe aktorin e “Monseratit”.
Ai realizoi vlera interpretative edhe në pjesët e repertorit të dramës shqipe. Ndër më të rëndësishmet duhen përmendur: gjenerali në dramatizimin e “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sipas motiveve të romanit homonim të Kadaresë (1972), Sulejman Vokshi tek drama “Epoka para gjyqit” (1980) e Ekrem Kryeziut etj.
Pitarka mbetet një aktor popullor mjaft i vlerësuar edhe në ekranin e filmit shqiptar. Realizimet e tij kanë hyrë në fondin e arritjeve të kinemasë sonë të re.
Role të tilla si mësuesi tek filmi “Debatik”, Sokrati te “Horizonte të hapura”, Zheleznovi te filmi “Ballë për ballë” e deri te realizimi i fundit franko-shqiptar “Larg barbarëve” (1993), janë të skalitura në kujtesën e publikut.
Sulejman Pitarka në interpretimin e tij në teatër dhe film dallohet për një origjinalitet të spikatur, që ka të bëjë me konceptin realist të figurës, mishërimin individual dhe fuqinë e brendshme krijuese.
Rrallë gjenden tek një artist cilësi fizike të arrira, për t’i sendërtuar dhe përcjellë tek publiku aftësitë e brendshme si te Pitarka. Dhe këto cilësi janë: zëri i plotë dhe i ngrohtë, trupi i lartë dhe elastik, sytë shprehës dhe fizionomia karakteristike e fytyrës.
Këto dhurata të natyrës aktori Pitarka i kishte kuptuar qysh se hyri në rrugën e artit. Prandaj diti t’i shfrytëzojë për të dhënë vlera të shquara në teatër dhe në film. Këtu qëndron dhe kontributi i tij i madh në kulturën artistike shqiptare.
Që nga viti 1955, kur shkroi dramën “Familja e peshkatarit”, që ka hyrë në historinë e letërsisë shqipe, Pitarka krijoi edhe pjesë të tjera teatrale si “Burri me përparëse”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, (1957) kushtuar Skënderbeut. Drama të tjera të Pitarkës janë “Heronjtë e Linasit” (1967), “Kulla e Hutajve” etj.
Me profilin e tij intelektual Sulejman Pitarka ka dhënë kontribut edhe në fushën e teatrologjisë dhe të kritikës teatrore.
Edhe pse nuk ka shkruar shumë në këtë fushë, me ato pak punime del në pah krijuesi i talentuar dhe origjinal, dramaturgu dhe njeriu i teatrit. Por më shumë se me trajtimet teorike apo kritike, Pitarka ka ndikuar me krijimtarinë e tij skenike.
Dhe kjo është thelbësore. Janë më shumë se 100 role, të cilat rikthehen herë pas here në ekran, për të dëshmuar për artistin, për mjeshtrin e fjalës Sulejman Pitarka. Ai mban titullin “Artist i Popullit”, “Mjeshtër i Punës” dhe një çmim karriere./Konica.al/