“Pamë tmerr me sy, nëna e gjakosur kërkonte fëmijët.” Kjo është dëshmia e banorëve që shkuan në vendin e ngjarjes vetëm pak momente pas aksidentit tragjik në aksin Shkodër-Velipojë.
Sipas mjekëve, tre pjesëtarë të familjes Preka ndërruan jetë në vend, ndërsa vajza 10 vjeçe është në koma, me shumë pak mundësi për t’u rikthyer në jetë. Nëna e fëmijëve është jashtë rrezikut bashkë me dy shtetasit e tjerë të plagosur nga ky aksident. Dëshmitarët që panë çastet e tmerrit, janë tronditur nga imazhet dhe ajo çfarë kanë përjetuar.
Dy prej tyre, Gjon Gjeka dhe Miruk Paloka, shprehen se i kanë dhënë ndihmën e parë të aksidentuarve, të cilët janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës. Aksidenti ndodhi në aksin Shkodër-Velipojë, teksa mjeti tip “Alpha Romeo” ku ndodhej familja Preka, u përplas me mjetin tip fouristradë “Hyundai”.
Për pasojë, babai Edmond Preka dhe dy fëmijët e tij, djali 6 muajsh dhe vajza 5 vjeçe, humbën jetën, ndërsa vajza tjetër, 10 vjeçe, është në gjendje të rëndë. Nëna e tyre Evisa Preka është jashtë rrezikut për jetën. Në fouristradë ndodhej shtetasi Ndrek Gjergji, që drejtonte mjetin bashkë me dhëndrin e tij, Sokol Mullai. Të dy mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën, por ende të shtruar në spital.
Një grup ekspertësh nga Tirana kanë mbërritur në vendngjarje dhe ende nuk ka dalë aktekspertiza për shkaqet e ngjarjes së rëndë.
“Dëgjuam një zhurmë të madhe nga përplasja e dy makinave dhe menjëherë kam dalë nga shtëpia. Shkova në vendngjarje sepse e kam shumë afër dhe kam parë fouristradën mbi hekurat mbrojtëse në anë të rrugës. U afrova dhe dëgjova gruan që bërtiste ‘ku i kam fëmijët, ku e kam djalin’. Djalin e vogël 6 muajsh e mbante një burrë në dorë. Gjetëm një batanije te banesa e vëllait tim dhe e mbuluan me të… Pastaj ka ardhur ambulanca e Velipojës dhe e ka marrë për ta dërguar në urgjencën e spitalit të Shkodrës. 10 minuta më pas ka ardhur edhe ambulanca nga Shkodra”, u shpreh banori Gjon Gjeka. Sipas tij, kjo ishte ngjarja më e rëndë që kishte ndodhur në këtë aks.
Banorët janë përpjekur për t’u ardhur në ndihmë viktimave, pa e ditur ende bilancin e rëndë dhe nëse personat e mbetur në mjet kishin vdekur apo ishin të plagosur dhe në gjendje të rëndë.
“Nuk kishim si ta nxirrnim shoferin e makinës së vogël që kishte mbetur brenda. Ne nuk kishim gurë prerës fresibël. Duke mos pasur zgjidhje tjetër e kemi hapur makinën me sëpatë dhe e dërguan me një mjet drejt spitalit të Shkodrës. Një ngjarje tejet e tmerrshme për mua dhe për të gjithë. S’kam parë ndonjëherë në jetën time një tmerr të tillë. Ne këtu jemi të tronditur. Unë kam mbi 50 vite shofer dhe kam parë aksidente, por si ai që ndodhi këtu, nuk kam parë ndonjëherë. Ne kemi dhënë ndihmën e parë aq sa kemi mundur… E kemi përjetuar shumë keq, është një tragjedi e vërtetë ajo që ka ndodhur. Nuk ka rrezik më të madh, një familje që thuajse shuhet. Familjen Preka që u ndodhi tragjedia, i njoh sepse janë nga Velipojë, jetojnë në Plazh”, shprehet më tej banori Gjon Gjeka.
Edhe banorë të tjerë që jetojnë afër vendit të ngjarjes kanë nxituar të japin ndihmën e parë për personat e përfshirë në aksident. Banori Miruk Paloka shprehet se fillimisht, pasi kishin dëgjuar përplasjen, kishin menduar se mos po bëhej ndonjë sherr jashtë.
“Dola jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Shkova te vendi dhe pashë se ishte një aksident shumë i rëndë. I kemi ndihmuar që t’i fusin në ambulancë dhe jemi munduar që t’i japim ndihmën e parë brenda mundësive tona. Kam parë fëmijët dhe shoferin e fouristradës që i morën me makina. Kam dëgjuar nënën e fëmijëve, që thoshte ‘ku i kam fëmijët’. Ajo kërkonte me ngulm djalin, ndonëse edhe vetë ishte e plagosur rëndë, e gjakosur në fytyrë dhe ashtu kërkonte fëmijët. S’kemi fjalë, jemi të tronditur edhe ne”, thotë Miruk Paloka, një prej dëshmitarëve në aksidentin tragjik.
Të plagosurit janë ende në spitalin e Shkodrës, ndërsa grupi i ardhur nga Tirana po kryen ekspertizën e nevojshme nga ku më pas do të përcaktohet edhe shkaktari i këtij aksidenti. Policia nuk përjashtoi mundësinë e arrestimit të drejtuesit të fuoristradës, i cili dyshohet të ketë qenë me shpejtësi tej normave të lejuara, çka u bë shkak edhe për tragjedinë./ panorama