“Vendi ku ndodhi aksidenti dje në Kodër Kamëz ka qenë një nyje zezë edhe kur lëvizte treni, aty makinat nuk lejonin trenin të kalonte”, shprehet Artur Sulçe, ekspert rrugor.
Megjithëse aksidenti tragjik i të mërkurës në Kamëz ndodhi më shumë për shkak të pakujdesisë së drejtueses së mjetit sesa gjendjes së rrugës, për policinë rrugore ky kryqëzim është një njollë e zezë ku mungojnë elementët e sigurisë.
“Në rrugët urbane, në zonat e banuara, ka problem që në projektim si infrastrukturë, kujdesen t’i bëjnë të bukura, “ seksi ”, por jo të sigurta”, thotë Sulçe.
Mungesa e kulturës dhe sjelljes në rrugë nga të gjithë, si shoferet dhe këmbësoret, është një tjetër shkak i aksidenteve.
“Nuk jemi të sigurt në të gjitha rrugët”, shprehet një qytetar.
“Shoferët duhet të kenë më shumë respekt për jetën e njeriut”, thotë një tjetër.
“Unë jam e para që nuk i respektoj”, tregohet e sinqertë një qytetare.
Sipas ekspertëve, policia “luan” me shifrat, pasi në të vërtet numri i aksidenteve nuk është ulur.
“Frekuenca e numrit të aksidenteve në vendin tonë nuk është ulur, mund të jenë disa të vdekur më pak por ne shikojmë që ka kapërcime të mëdha nga njëri muaj në tjetrin, që do të thotë se s’ka një studim të plotë”, shprehet eksperti.
Sipas Sulçes, ka disa vite që komiteti ndërministror për sigurinë rrugore nuk është mbledhur për të riparë strategjinë kombëtare 2011-2020.