nde pa u ndërtuar, stadiumi “Air Albania” ishte kandidat për dy finale të Superkupës së Europës. Tashmë arena e shqiptarëve do të konkurrojë për një finale tjetër, atë të kompeticionit më të ri “UEFA Conference League”.
UEFA ka menduar të shtojë numrin e kompeticioneve pjesëmarrëse për t’i dhënë mundësi më shumë klubeve të përfaqësohen në Europë, teksa në këtë formë rrisin edhe të ardhurat financiare.
Ndaj nga 2021-2022, përveç kompeticioneve tradicionale si Europa League dhe Champions League, do të shtohet edhe UEFA Conference League.
Për këtë trofe do të kenë mundësi të luajnë disa prej klubeve që nuk arrijnë të kualifikohen në Europa League dhe Champions League. Ndërkohë, kanë nisur edhe aplikimet pranë UEFA-s për stadiumin që do të mirëpresë finalen e sezonit 2021-2022 dhe atij 2022-2023.
Burime për Tv Klan nga FSHF thonë se në impiantet që do të jenë në garë, mund të jetë edhe “Air Albania”. Stadiumi do të sfidojë në këtë garë impiante si ai Kretës në Greqi, i Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe stadiumin e Saint Ettienne në Francë.
Vetë kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin, në inaugurimin e stadiumit, deklaroi se Air Albania i ka të gjitha shanset për të pritur një finale të përmasave europiane.