Pas një periudhe intensive pune për testimin, hartimin e protokolleve dhe përmbushjen e kushteve teknike për çertifikim e Air Albania, sot është konkluduar akordi financiar mes Albcontrol, Turkish Airlines dhe partnerit privat. Ky hap ndez dritën jeshile për çertifikimin e kompanisë dhe nisjen e operimeve.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mjediset e Kryeministrisë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Belinda Balluku dhe Drejtori i Përgjithshëm i Turkish Airlines, z.Ilker Ayçi kanë dhënë një deklaratë për mediat në aeroportin e Rinasit.
“Krijimi i një kompanie ajrore është padyshim një proces i gjatë dhe shumë i rëndësishëm duke qenë se ka të bëjë me sigurinë dhe shërbimin e duhur që u duhet ofruar pasagjerëve. Për më tepër kur flitet për një kompani mbajtëse të flamurit, siç është Air Albania, padyshim kemi pasur seriozitetin më të madh dhe përkushtimin më të madh që mund ti jepet një procesi të tillë”, është shprehur ministrja Balluku.
Ajo është ndalur në fjalën e saj në punën e kryer gjatë muajve të fundit, e cila ka qenë një fazë tepër e domosdoshme për çertifikimin e kompanisë: “Është punuar për të kaluar fazën e trajnimeve, për të konsoliduar fazën e testimeve teknike, për të prodhuar të gjitha dokumentet, manualet dhe protokollet, të cilat çojnë drejt çertifikimit, për të arritur sot në konkludimin e marrëveshjes financiare mes palëve, e cila hap dritën jeshile për çertifikimin e kësaj kompanie nga Autoriteti i Aviacionit Civil, gjë që do të ndodhë shumë shpejt, brenda një jave apo 10 ditëve”.
Ministrja ka vlerësuar bashkëpunimin me Turkish Airlines, i cili ka qenë promotor i kësaj iniciative të përbashkët. “Turkish Airlines së bashku me partnerin privat, kanë qenë ata të cilët i kanë kërkuar shtetit shqiptar të nisë krijimi i një kompanie mbajtëse të flamurit e cila sot po bëhet realitet. Procesi ka qenë i gjatë, por është konkluduar në mënyrën më të mirë të mundshme, më serioze dhe ashtu siç kërkojnë të gjitha kushtet dhe parametrat e Bashkimit Europian për të qenë një kompani e konsoliduar, një kompanie që përmbush të gjitha kërkesat rregullative”, ka thënë Balluku.
Nga ana e tij Drejtori I Përghithshëm i Turkish Airlines, Ilker Ayçi ka shprehur kënaësinë e tij që faza përgatoitore është kryer me seriozitet dhe tashmë kompania është gati për çertifikim.
“Jemi shumë të gëzuar që jemi këtu. Prej disa kohësh po punojmë mbi përgatitjen e infrastrukturës për Air Albania dhe jemi shumë krenarë që po përmbyllim procesin përgatitor. Tashmë përgatitja e procesit teknik është kryer. Air Albania shumë shpejt do të jetë në qiell dhe ne jemi shumë krenarë që po punojmë së bashku me palën shqiptare si Turkish Airlines”, ka thënë z.Ayçi.
Ai ka theksuar se shumë shpejt Air Albania do të nisë nga fluturimet. “Tani ne jemi gati dhe së shpejti do të jemi në qiell. Ne do të shohim Air Albania në qiell dhe mendoj se do të jetë krenaria e Shqipërisë dhe është një kënaqësi e madhe, një nder i madh të punojmë për popullin shqiptar dhe gjithashtu, për aviacionin shqiptar”, ka përfunduar drejtori i Turkish Airlines