Aida Hajnaj ka nisur punën për të “sjellë në jetë” Byronë Kombëtare të Hetimit. Pavarësisht vendimit të KLP për ta emëruar në krye të BKH, Hajnaj nuk e ka marrë ende detyrën. Të martën ajo do të jetë zyrtarisht drejtuese e Byrosë dhe në po këtë ditë nis rrugëtimi i një prej institucioneve më të rëndësishme të luftës ndaj korrupsionit.
Dje zonja Hajnaj është larguar nga posti i saj në polici, për t’iu përkushtuar BKH. Hajnaj mbante postin e zv/drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë, por tashmë këtë detyrë do e mbajë Albert Dervishi, deri sot në detyrën e Drejtorit të Rendit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë një ceremonie i ka dorëzuar Aida Hajnajt certifikatën për shërbime të dalluara me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës për zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve policore, në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Veliu vlerësoi punën, integritetin dhe kontributin e Hajnajt, për më shumë se dy dekada në Polici dhe i uroi asaj suksese në detyrën e re shumë të rëndësishme. Aida Hajnaj, e falënderoi Veliun për vlerësimin dhe mbështetjen gjatë kryerjes së detyrës në rolin e zëvendësdrejtoreshës dhe njëkohësisht ka vlerësuar e falënderuar gjithë kolegët që ajo ka punuar gjatë këtyre viteve në Polici. Në vijim, Veliu ka bërë prezent edhe disa ndryshime me qëllim dhënien e një impulsi të ri, por edhe për shkak të largimit të zëvendësdrejtoreshës Hajnaj.
Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Idajet Faskaj, është liruar nga kjo detyrë dhe është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe ka marrë gradën Drejtues i Parë. Drejtori i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtues i Parë Pëllumb Seferi, është emëruar Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ka marrë gradën Drejtues i Lartë.
SHBA merr në dorë situatën
Sipas vendimit të KLP, Aida Hajnaj e merr detyrën e kryetares së BKH në datën 1 shtator. Të martën ajo merr frenat e BKH dhe pritet që të hapen menjëherë procedurat për rekrutimin e 60 hetuesve. Po ashtu Hajnaj do të zhvillojë një vizitë në SHBA ku do të trajnohet në akademinë e FBI mbi teknikat më të fundit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
BKH ka qenë institucioni më i preferuar i amerikanëve dhe është luftuar fort për të. Kjo do të thotë se javën që vjen amerikanët bashkë me kryetaren nisin punën për të krijuar një institucion që pritet të godasë korrupsionin në nivele të larta. Përveç trajnimit që do të bëhet nga FBI, do të ketë pajisje dhe fonde mijëra dollarë që BKH të jetë sa më funksionale.
Një agjent i FBI do qëndrojë aty për dy vite dhe do të monitorojë punën. Në raportin vjetor të EURALIUS të vitit 2018 tregohet qartë se pajisjet janë gati sapo BKH të marrë jetë. “Ekspertët e EURALIUS dhe PAMECA V kanë marrë pjesë në disa takime me grupe pune në ambientet e ambasadës së SHBA në Tiranë, të organizuar nga ICITAP e OPDAT. Takimet u fokusuan në ngritjen e Byrosë së Hetimit, siç parashikon Neni 57 paragrafi 9 i ligjit për organet e luftës ndaj korrupsionit, për kushtet e punës, afatet e llogaritura për krijimin e SPAK, llogaritjen e riskut, sigurimin e poligrafi, për mjetet e komunikimit, pajisjet e përgjimit etj.
Në lidhje me aktivitet e donatorëve, OPDAT e ICITAP kanë sjellë propozime për rrogat e 120 punonjësve SPAK, duke përfshirë dhe 10-15 prokurorë. Për pajisjet e përgjimit, PAMECA llogarit një kosto prej 1.4 milionë euro. Qeveria ka parashikuar në total 1 miliard lekë për krijimin e institucioneve të drejtësisë, fond ky që nuk përfshin kostot operacionale”, thuhet në raportin e EURALIUS.