Analisti Milaim Zeka, shprehet se kryeministri i Kosovës, “Albin Kurti është kopje identike e trurit të Enver Hoxhës”.
“Kurti nuk shqetësohet fare se si mendon bashkësia ndërkombëtare. Ky sillet me ta sikur Kosova të ishte fuqi e madhe ekonomike dhe politike, në kohën kur ne prodhojmë vetëm speca, domate dhe pak kastraveca. Çdo sjellje të tij me ndërkombëtarët, Kurti e bën vetëm për votat e brendshme”, deklaroi Zeka për rubrikën ‘Ditari’.
“Albin Kurtin e njoh që kur ka qenë student. Gjatë gjithë jetës së tij politike në opozitë, ka dalë hapur kundër BE-së dhe SHBA-së. Është tallur me pakon e Ahtisarit dhe i ka nxjerrë njerëzit në rrugë për ta kundërshtuar atë, madje është tallur edhe me flamurin e Kosovës, duke e quajtur lara-lara.
E gjithë karriera e tij politike është kundërshtuese ndaj çdo gjëje që i ka ardhur era shtet i Kosovës. Po sillet ende si lider i opozitës, jo si kryeministër i vendit. Ai ëndërron që të jetë lider i gjithë shqiptarëve të Ballkanit, siç ëndërronte Enver Hoxha që të ishte lider i Internacionales Komuniste të Botës”, shtoi Zeka.
Në lidhje me konfliktin në distancë mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit në lidhje me “Open Balkan”, Zeka komentoi: “Këtë përplasje po e shfrytëzon më mënyrën më fenomenale Serbia. Edhe gjatë kohës së Luftës së Kosovës, Serbia dhe Rusia investuan shumë te mediat shqiptare, që të sulmonin UÇK-në. Mediat në Shqipëri kanë raportuar për atë luftë sikurse për luftën e Afganistanit. Tani, mediat në Kosovë po flasin me urrejtje patologjike kundër Edi Ramës. Kurti është bashkuar në këtë korin e armiqësisë së mediave, për të krijuar frymë armiqësore ndaj Shqipërisë”.
Sipas Zekës, Presidentja Vjosa Osmani “e kupton bashkësinë ndërkombëtare dhe sinjalet që dërgon kjo bashkësi në lidershipin e Kosovës, në mënyrë shumë më të mirë sesa kryeministri i Kosovës dhe ministrat e tij, të cilët stërmundojnë trurin 24 orë për të gjetur justifikime”.
“Kurti tha se do të vendoset reciprociteti me Serbinë kur të vijë drejtori i ri i doganave. Kurti është maestro për të gjetur justifikime dhe tani, duke kuptuar logjikën e Kurtit, Vuçiç e provokoi duke deklaruar sot se gjoja Serbia po i trembet shumë vendosjes së reciprocitetit. Nëse vendoset reciprociteti pa këshillimin e ndërkombëtarëve, Kosova do të izolohet edhe më shumë. Haradinaj u rrëzua nga qeveria për shkak se vendosi reciprocitetin. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Kurtin nëse e vendos. Ju po e shikoni edhe në Shqipëri, që ambasadat po vendosin nëse do të jetë Sali Berisha apo jo në Parlament. Kosova, brenda dy muajsh, ka blerë rreth 500 milionë euro mall nga Serbia. Kështu që, të gjitha këto që përdor Kurti, i përdor për demagogji. Fatkeqësisht, ndërrimi i pushteteve në Kosovë, na ka sjellë në një qeveri që jeton në anarki. Kurti nuk ka projekte për zgjidhjen e problemeve jetike të Kosovës”, u shpreh Zeka.