Qeveria vazhdon me projektin e rindërtimit. Ditën e djeshme ministri i Rindërtimin, Arben Ahmetaj ka nënshkruar kontratën e radhës me Halil Kastratin, kryetarin e shoqatës shqiptare “Jetimët e Ballkanit” për financimin e projektit të ndërtimit të 26 banesave kolektive dhe disa pallateve Lezhë.
Gjatë takimit Ahmetaj tregoi për mediat se për këtë projekt do të shpenzohen mbi 891 mijë euro, ku do përfitojnë 128 familje. “Sot materializojmë së bashku një marrëveshje zyrtare me Këshillin e Ministrave dhe kontributin e shoqatës “Jetimët e Ballkanit” në vlerën e 891 mijë e 104 euro, shumë e cila do të përdoret për financimin e ndërtimit të 26 apartamenteve dhe 9 banesave individuale në Bashkinë Lezhë. Në Lezhë do të zhvillohen dy zona të reja urbane, ku do të ndërtohen 209 banesa kolektive (në pallate) ndërsa 128 familje do të strehohen në banesat e reja individuale.
Zonat e reja do të krijojnë hapësira të gjelbëruara, ambiente shërbimi dhe infrastrukturë të re komunitare, shumë herë më të mirë se ajo ekzistuese”, deklaroi ai. Më tej ai bëri të ditur se, është finalizuar marrëveshja financiare me qeverinë gjermane për rindërtimin e 3 shkollave, projekt i cili do të zbatohet nga KfW që është marrëveshja e radhës që do të miratohet në Këshillin e Ministrave dhe jemi drejt finalizimit të draftmarrëveshjes me qeveritë austriake dhe sllovene.
“Për t’ju rikthyer projektit që nënshkruajmë sot, projekti do të hartohet nga donatori në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi, normat e projektit dhe rindërtimit do të jenë sipas standardeve më të mira dhe të konfirmuara me certifikatë CE”, tha Ahmetaj. Ndër të tjera ai tregoi se në tetor do të nisë ndërtimi i pallateve dhe ndërtesave kolektive, ku deri atëherë zona e 5 Majit në Tiranë do të ketë përfunduar.
“Ndërsa në fund të gushtit, fillim shtatori do të nisë procesi për ndërtimin e banesave kolektive. Mendojmë që në fund të shtatorit dhe fillim tetori do të kemi në zonën e 5 Majit në Tiranë, themelet e para dhe në shumë zona të tjera të bashkive të tjera të dëmtuara, themele për ndërtimin e pallateve”, tha Ahmetaj.