SPAK do i drejtohet Kuvendit për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për deputetin Alqi Bllako, i cili rezulton i përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve, në kohën ku mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të mjedisit.
Bazuar në nenin 73 të kushtetutës deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
Ndaj do të jetë vendimi i Kuvendit, i cili do t’i hapë rrugën vendosjes së masës së sigurisë për deputetin Alqi Bllako.
Mëngjesin e kësaj të marte, banesa në pronësi të babait të deputetit Alqi Bllako u vendos në sekuestro preventive. Vlera e apartamentit të sekuestruar është ekuivalente me shumën e përfituar në mënyrë të paligjshme nga deputeti, në shumë e rreth 15 milionë lekëve.
Emri i Alqi Bllakos, figuron në disa përfitime të paligjshme nga afera e inceneratorëve. Aso kohe sekretar i përgjithshëm i mjedisit, Bllako bashkëpunoi me ish ministrin Lefter Koka për përgatitjen e dokumentacioneve false, për shpronësimin e tokës ku do të ngrihej inceneratori i Fierit.
Gjithashtu në llogarinë bankare të Bllakos janë depozituar përfitime monetare të parregullta, për të favorizuar pronarët e inceneratorit të Fierit.