Çështja e inceneratorëve është prej kohësh në qendër të vëmendjes, pas arrestimit të ish-deputetit Alqi Bllako. Juristi Saimir Vishaj u shpreh se SPAK duhet ti shkojë deri në fund hetimeve.
Vishaj tha se e rëndësishme është të gjurmohen paratë që janë shpërdoruar dhe përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga ky abuzim, ndërsa theksoi se ky është vetëm fillimi i punës së SPAK.
“Ky është fillimi i një qëllimi të saktë që ka ngritja e SPAK, institucion i posaçëm kundër krimit dhe organizatave kriminale, tani kemi një prokurori të posaçme punon më vete, e pavarur, kemi dhe BKH.
Mos të kënaqemi vetëm me disa vite burg dhe arrestime. Gjithsecili do japë llogari për ato që ka bërë. Kjo prokurori, përveç individëve, po heton dhe gjurmon para. Paraja e vjedhur nga kjo aferë ku ka shkuar, nëse është e materializuar.
Nëse hetimi çon në sekuestrim të pasurive që janë ngritur në dëm të qytetarëve atëherë kjo prokurori ka vepruar. Reforma në drejtësi duhet të arrijë të shkëputë drejtësinë nga kthetrat e politikës. Ekzekutivi nuk duhet të ndërhyjë, SPAK duhet t’i ketë duart të lira.”- tha ai.